Policia e Shtetit ka bërë me dije se sot është finalizuar operacioni ndërkombëtar kundër krimeve kibernetike i koduar “Platforma”.

“Operacioni në Shqipëri u drejtua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale nën drejtimin e SPAK. Me mbështetjen e Eurojust dhe Europol, operacioni u zhvillua në disa shtete si Gjermani, Shqipëri, Qipro dhe Izrael”, thuhet në njoftim.


Sipas Policisë, në Tiranë, u sekuestruan mijëra euro e pajisje që shërbenin për kryerjen e krimeve kibernetike.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Platforma” ka kryer ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për ushtrimin e tre kontrolleve në ambiente të ndryshme, shkruan ATSh.

Policia njofton se gjatë operacionit u ushtruan kontrolle në tre ambiente të ndryshme, ku u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy aparate celularë, një laptop, një njësi kompjuterike, një USB, një hard disk i jashtëm, një shumë parash prej 40 020 eurosh.

“Ekzekutimi i këtyre vendimeve është realizuar në kuadër të një letërporosie të lëshuar nga autoritetet gjermane, me mbështetjen e Europol, në kuadër të një hetimi ndërkombëtar për një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në mashtrime përmes një platforme të rreme investimesh online. Grupi kriminal dyshohet se ka mashtruar mbi 100 viktima me një dëm financiar prej mbi tre milionë euro”, cilësohet në njoftim.

Sipas Policisë së Shtetit, operacioni është zhvilluar në kuadër të një veprimi të koordinuar ndërkombëtar që përfshiu autoritetet e Gjermanisë, Shqipërisë, Qipros dhe Izraelit, me mbështetjen e Eurojust dhe Europol.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar për goditjen e grupeve kriminale që operojnë në fushën e krimeve kibernetike dhe mashtrimeve financiare. Hetimet vijojnë.