Fillojnë punimet për ndërtimin e Lapidarit të Dëshmorëve në Pozhar të Deçanit

Kanë filluar punimet për ndërtimin e Lapidarit të Dëshmorëve në fshatin Pozhar, një projekt i komunës së Deçanit për ruajtjen e kujtesës historike dhe vlerave të luftës çlirimtare.
Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, ka theksuar rëndësinë e këtij investimi: “Ky lapidar do të jetë simbol i përhershëm i sakrificës sublime të dëshmorëve tanë, që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin e vendit".
"Përmes këtij investimi, ne jo vetëm nderojmë të kaluarën, por edhe edukojmë brezat e rinj me vlerat e lirisë, guximit dhe atdhedashurisë”.
Ai gjithashtu shtoi se: “Komuna mbetet e përkushtuar që kujtesa për dëshmorët të ruhet dhe të respektohet me dinjitetin që ata meritojnë”.
Punimet për ndërtimin e lapidarit janë pjesë e angazhimit institucional për të nderuar dëshmorët dhe për të afirmuar historinë dhe sakrificën e tyre për lirinë e vendit. /Telegrafi/




















































