Filipçe: LSDM nuk do të lejojë futjen “e dhunshme” të emigrantëve në vend

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe paralajmëron peticion online kundër migrantëve në Maqedoni. Filipçe tërhoqi vërejtjen edhe për përvojat e Evropës, ndërsa siç thotë, statistikat evropiane tregojnë se me politika të gabuara të integrimit të refugjatëve, ndodhin probleme të mëdha në shtetet dhe shoqëritë ku ata vendosen. Ai nënvizoi se çmimi i këtyre politikave do të ishte i lartë dhe u bëri thirrje qytetarëve të kyçen për ruajtjen e sigurisë së vendit.
“A është ky çmimi që duhet të paguhet për të marrë një kredi prej 6 miliardë eurosh, që do t’i paguajnë shumë gjenerata të ardhshme, për dekadat e ardhshme, që kjo qeveri t’i shpenzojë ato para me marrëveshje me katër sy. Nuk duhet të lejojmë futjen me forcë të refugjatëve në vendin tonë. Do të nisim për fillim një iniciativë online kundër kësaj, do të pasojnë edhe hapa të tjerë. I ftoj të gjithë qytetarët, ndihmoni të ruajmë atdheun tonë. Ndihmoni të ruajmë sigurinë dhe të ardhmen e Maqedonisë”, tha Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
Nga ana tjetër, OBRM-PDUKM sërish mohon se ekziston ndonjë marrëveshje me Britaninë e Madhe për pranimin dhe vendosjen e migrantëve në territorin tonë.
“Përgjegjësisht, si OBRM-PDUKM, pohojmë se nuk do të ketë kurrfarë migrantësh në Maqedoni, e as që ka ndonjë plan për të ardhmen. Opinioni dhe qytetarët të qëndrojnë të qetë, sepse përderisa OBRM-PDUKM është në pushtet, migrantë në Maqedoni nuk do të ketë”, u shpreh Valentin Manasievski – anëtar i Komitetit Ekzekutiv të OBRM-PDUKM.
Tema e migrantëve e ndezi atmosferën politike në Maqedoni, pasi disa media britanike, mes tyre edhe “Telegraph”, publikuan se mes Britanisë së Madhe dhe Maqedonisë kanë zhvilluar negociata për pranimin e migrantëve. Sipas “Telegraph”, përveç Maqedonisë, pëlqim ka edhe nga Kosova, ndërsa Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria, për arsye sigurie, kanë refuzuar një gjë të tillë. Sipas marrëveshjes, për çdo migrant të pranuar, Maqedonia do të merrte rreth 25 mijë funte nga Britania e Madhe.


















































