LAJMI I FUNDIT:

‘Fiat 500X’ i rifreskuar për vitin 2017 (Foto)

‘Fiat 500X’ i rifreskuar për vitin 2017 (Foto)

Festat e fundvitit e kanë gjetur Fiatin duke prezantuar modelin e ridizajnuar ‘500X’, i cili në mënyrë solide po shitet në tregjet evropiane.

Sa për fillim, italianët e kanë zgjeruar ofertën për ngjyrën e karrocerisë, ashtu që vozitësit mund të vendosin për ngjyrën metalike ‘blue jeans’, ‘donatello bronze’ apo ‘cappuccino beige’.


Njëherësh, si pjesë shtesë janë në dispozicion edhe rrotat e aluminit prej 17 inçësh, njofton Telegrafi.

Versioni ‘cross’ i modelit Fiat 500X ka fituar elemente të tjera mbrojtëse në parakolpin e përparmë dhe të pasmë, ku mund të thuhet se është dizajni i përpunuar. Ndryshime ka edhe në enterier, me ulëse të reja më komode dhe mbajtëse më të mirë të trupit.

Sa i përket motorizimit, duhet veçuar versionet ‘off-road’ (‘cross’ dhe ‘cross plus’) që kanë agregat 1.3 litërsh me 95 kuajfuqi dhe 1.6 L eTorq me 110 kuajfuqi.

Në dispozicion është edhe motori turbo me benzinë 1.4 L me 140 KF dhe me 170 KF. Në ofertën me naftë, krahas modelit bazë 1.3 L me 95 KF, janë edhe modelet me motorë 1.6 L (120 KF) dhe 2.0 L (140 KF).

Më tej, Fiat 500X mund të ofrohet me tërheqje vetëm më rrotat e para ose me tërheqje 4×4, ndërsa në ofertë përfshihet edhe marshi i ri automatik me nëntë shkallë.

Për vitin 2017, Fiati në modelin 500X e ka zgjeruar edhe paketën e pajisjeve të sigurisë, ku ndodhet sistemi për paralajmërim në rast të daljes nga korsia e komunikacionit, sistem të kontrollit për ‘këndin e vdekur’, tempomat përshtatës e shumëçka tjetër. /Telegrafi/