LAJMI I FUNDIT:

Fevziu: Gjykata Speciale u ka mbetur ndërkombëtarëve si patate e nxehtë

Fevziu: Gjykata Speciale u ka mbetur ndërkombëtarëve si patate e nxehtë

Gazetari Blendi Fevziu ka thënë se Gjykata Speciale i ka mbetur si patate e nxehtë në dorë ndërkombëtarëve.

Në një intervistë për për “Review”, Fevziu theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është treguar shumë e kujdesshme të mos kryejë asnjë akt terrorist jashtë kufirit të Kosovës dhe të mos ndërmerrte asnjë aksion brenda territorit të Serbisë, për ruajtur idenë se ishte një organizatë që luftonte vetëm për çlirimin e vendit të saj.


“E para, Sali Mustafa kishte akuza konkrete për ngjarje konkrete edhe pse në linjë komandimi. Asnjë nga 4 liderët e nivelit të lartë të UÇK-së nuk kanë akuza personale. Këtë duhet ta sqarojmë për publikun se shoh që ka njerëz që thonë ‘jo po kanë bërë krime’, nuk kanë bërë krime, nuk kanë asnjë akuzë të vetme,” – u shpreh Fevziu.

Ndërkaq, gazetari tha se protesta e sotme në Kosovë ishte qytetare, emancipuese dhe sipas tij një lëvizje që tregon se në një moment kur vihet në pikëpyetje një prej fazave më të rëndësishme të historisë së Kosovës, ata dinë ta mbrojnë.

Fevziu tha se presidentja Vjosa Osmani nuk ka mbajtur qëndrimin e duhur ndaj ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në qelitë e paraburgimit në Hagë.

Ai i cilësoi burracakë qeveritarët e Kosovës që nuk i kanë mbështetur si duhet në këtë betejë, që siç tha Fevziu ka marrë më shumë kohë nga ç’është marrë për të gjykuar dhe vetë Millosheviqin.

“Ajo që vë re është se çdo njeri pavarësisht bindjes politike, pavarësisht qëndrimit politik që ka, pavarësisht orientimit, pavarësisht mërisë dhe simpative me këta njerëz sa kohë kanë qenë në pushtet kur vjen puna të UÇK-ja janë të bindur se kjo është një nga faqet më të rëndësishme që ne kemi në historinë tonë”, u shpreh ai.

Ndryshe, mijëra qytetarë morën pjesë në “Marshin për Drejtësi”, të organizuar më 2 prill në Prishtinë, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – që janë në Hagë.

Të hënën, do të nisë gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat thuhet se janë kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për këto akuza.