Festimi i Vidovdanit nga serbët në Gazimestan, thirrja e Kurtit që qytetarët të mos bien pre e provokimeve

Çdo 28 qershor, në Gazimestan mblidhjen qindra serbë nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit për të shënuar festën, e Vidovdanit.
E një ditë më parë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë ka thënë se ka paralajmërime për destabilizim në shënimin e Vidovdanit, festë kjo fetare.
Kurti tha se sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë “sa më masiv, prandaj janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër”.
“Siç e dini, në fundjavë shënohet Dita e Shën Vidit, apo Vidovdan siç njihet, e cila ndonëse ditë me karakter fetar, fatkeqësisht në vazhdimësi është përcjellë me retorikë politike nxitëse e kërcënuese për sigurinë publike nga ana e Serbisë. Beogradi zyrtar, që po përballet me protesta të vazhdueshme e gjithandej të studentëve dhe jo vetëm, po përpiqet që ta zhvendosë vëmendjen diku tjetër. Në këtë përpjekje për të ulur përmasat e protestës anti-qeveritare e anti-regjim të të njëjtës ditë në Beograd, pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan”, tha ai duke shtuar se “Prandaj janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër. Tradicionalisht, grupet e tilla kanë qenë provokuese, duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse, që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë gjithashtu edhe kundër vlerave demokratike e evropiane”.
“U bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve tanë, sidomos nga radhët e komunitetit serb në Kosovë, që të respektojnë ligjin dhe të mos lejojnë të keqpërdoren për qëllime politike. U bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë që gjithashtu të mos bien pre e asnjë provokimi nga kushdo qoftë në ditën e nesërme”, tha Kurti përcjell Telegrafi.


































