LAJMI I FUNDIT:

Ferma e kafshëve, zookopshti human, komunizmi dhe kapitalizmi: 71 vjet kali, 40 vjet dele!

Ferma e kafshëve, zookopshti human, komunizmi dhe kapitalizmi: 71 vjet kali, 40 vjet dele!

Lufta e klasave është iluzion! Lufta e vërtetë është veç mes shtazëve e njerëzve. Por, sikur “gjâja” të ishte e vetëdijshme për forcën që ka, njeriu nuk do të kishte pushtet ndaj tyre!

Kur vdiq, majtistë e djathtistë donin të përvetësonin emrin e një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit XX – të zërit më të sinqertë kundër padrejtësive dhe pabarazive sociale. Ai ishte besimtar, por jo në religjion. Ndaj, për dallim nga fetarët që besonin në botën e përtejme, në Parajsë – si shpërblim i vuajtjeve tokësore – ai besonte te demokracia socialiste si zgjidhja e vetme e problemeve të njerëzimit.

ANTIKAPITALISTI ANTIKOMUNIST

Eric Arthur Blair (1903-1950), i njohur si George Orwell, nuk ishte si hoxha shqiptar që ka thënë: “Bëj ç’të them unë, e jo çfarë bëj unë!” Ai ishte ndër të rrallët emra të njohur të kohës së tij që arsyetonte epitetin e intelektualit. Sepse, luftonte për atë që besonte. Madje, mund të konsiderohet si utopist, meqë, siç shkruante Paul Johnson tek “Intelektualët”, “besonte që në fëmijëri se bota mund të ndryshohej me forcën e intelektit”.

Si socialist-utopist (që i takonte shtresës së mesme të lartë), donte të njihte nga afër shtresën punëtore, për fatin e të cilëve shqetësohej. Ai punoi si pjatalarës, jetoi me të pastrehët, punoi si argat e banoi pranë familjeve të varfra në një qytezë industriale. Madje, kur më 1936 shpërtheu Lufta Civile në Spanjë, nuk jepte mbështetje morale si intelektualët tjerë, por shkoi aty ku duhej – për të luftuar për drejtësinë që u tha se po shkelej. Kështu, ai donte të zhvishej jo veç nga kapitalizmi, por edhe nga çdo formë e sundimit të njeriut mbi njeriun.

“Doja të zbrisja mes të shtypurve, të prekja fundin, të isha njëri nga ta, të rreshtohesha përkrah tyre e kundër tiranëve”, ka thënë Orwell.

Si intelektual i sinqertë që ishte, besonte se bota do t’ia dalë të shndërrohet në një shoqëri të mirë socialiste, por nuk besonte assesi te dogma komuniste që përfaqësohej nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) – totalitarizmi dhe ekonomia e centralizuar.

Kështu, nga një antikapitalist i madh, pas zhgënjimeve që përjetoi në Spanjë – ku me gruan iu bashkua palës republikane (që luftonte regjimin fashist të Francisco Francos) – u bë antikomunist dhe kritikuesi më i madh i gënjeshtrave të komunizmit rus, të diktaturës, të kultit të personalitetit, të kufizimit të lirisë e të kontrollit të mendjes nga propaganda e këtij sistemi.

Përderisa sot të dy krahët politikë duan pra ta përvetësojnë si të tyrin, ai gjatë tërë jetës së tij – pos problemeve me mushkëritë që ia sollën vdekjen – kishte probleme me kapitalizmin dhe komunizmin, e edhe me botuesit kalkulantë që hezitonin të publikonin veprën e tij antistaliniste, “Ferma e kafshëve”! Kjo vepër ishte refuzuar më 1944 nga shumë shtëpi botuese, sepse në atë kohë – gjatë Luftës së Dytë Botërore – lideri sovjetik, Josif Stalin, ishte aleat i anglezëve dhe i amerikanëve. Atëherë interesi politik qëndronte mbi artin dhe mbi të vërtetën! Dhe, meqë e njëjta vlente edhe gjatë Luftës së Ftohtë – kur Stalini nuk ishte më aleat i Perëndimit – gjërat shpejt ndryshuan: vepra u shndërrua në propagandë (diçka që nuk do ta donte) kundër Lindjes – kundër komunizmit. Madje CIA, më 1954, e financon realizimin e filmit të animuar, bazuar në këtë vepër, për të indoktrinuar shtresat e reja me bindje antikomuniste.

I PAARSIMUARI NUK DUHET TË KETË PUSHTET

Më 1924, fituesi i çmimit Nobel për Letërsi, polaku Wladyslaw Reymont, publikon veprën “Revolta” që ishte një metaforë e zhvillimeve në BRSS. Aty flitej për revoltën e shtazëve që në një fermë imponojnë rendin e ri të “barazisë”, por ku gjithçka degradon në terror. Nuk dihet nëse Orwelli e njihte këtë vepër. Por, njëjtë si Reymont (pjesëtar i popullit që kishte vuajtur gjatë e rëndë shtypjen nga rusët), ai kishte aversion ndaj brutalitetit të komunizmit sovjetik – pra rus!

Në fakt, aversion për rusët kishte edhe Majori Plak – Karl Marx. Marxi i urrente personat që donin të nisnin revolucion pa doktrinën dhe pa kulturën e duhur filozofike. Pa këto virtyte, ai kishte thënë se revolucioni mund të kishte sukses veç në Rusinë barbare, ku “është e mundur të krijohet organizata efikase me të rinj injorantë dhe ndonjë apostull”. Por, kjo nuk do të ndodhte në një komb të qytetëruar – siç janë gjermanët. Revolucioni, sipas tij, përbëhej nga dy elemente: truri i emancipimit ishte filozofia, e zemra e tij ishte proletariati. Intelektualëve u takonte detyra të formonin elitën – gjeneralët; ndërsa, proletarët ta përbënin këmbësorinë. Kështu, kur me bashkëpunëtorin dhe financierin e tij Friedrich Engels e formoi Ligën Komuniste, Marxi u kujdes që pjesëtarët e klasës punëtore, pa edukimin dhe arsimimin e duhur, të mos kishin fare detyra të rëndësishme. Kjo vlente sidomos për sllavët (që nuk i donte shumë)!

Këtë injorancë të rrezikshme, Orwelli e kishte parë gjatë Luftës Civile në Spanjë, ku shkuan edhe dhjetëra shqiptarë (nga Kosova, Shqipëria, Çamëria… krahas pjesëtarëve të 53 kombeve tjera të botës). Aty luftoi edhe zyrtari i lartë i Shqipërisë komuniste, Mehmet Shehu, për të cilin shërbimet britanike – pas Luftës së Dytë Botërore – do të thonin se në Spanjë u stërvit për tortura dhe vrasje. Këto tortura i kishte parë vetë Orwelli. Dhe, këta njerëz të torturave krijonin rendin e ri shoqëror në shumë shtete të botës!

POPULLI SI GJÂJA…

Në parathënien e veprës “Ferma e kafshëve”, në botimin në gjuhën ukrainase, Orwelli shpjegon rrugëtimin e tij deri te kjo vepër. Aty ai tregon se ndonëse është shkolluar në kolegjin prestigjioz Eton, në vitet ’30 ka jetuar në mjerim, i uritur e afër elementeve gjysmë-kriminale të lagjeve të varfra, ku ose është dashur të vjedhësh – ose të kërkosh lëmoshë (ai ka pasur shanse të bënte jetë të mirë, por nuk ishte konformist).

Më 1936 ishte në Spanjë. Por, kur më 1937 komunistët marrin kontroll në disa rajone të vendit, nis spastrimi i elementeve trockistë, njëjtë si në BRSS (Leon Trotsky – revolucionar bolshevik, armik i Stalinit). Orwelli iku, i gjallë e pa vuajtur shumë nga ky kaos, fat të cilin nuk e kishin shumë shokë të tij.

“Kjo më bindi se propaganda totalitare lehtë mundet ta kontrollojë opinionin e njerëzve të ngritur në shoqëritë demokratike”, ka thënë ai, duke shtuar se ndjente se duhej të fliste se çfarë nënkuptonte regjimi sovjetik – që s’ka lidhje me socializmin – ku sundimtarët e këtij sistemi nuk duan të heqin dorë nga pushteti e ku asgjë nuk ka ndryshuar nga viti 1917 (Revolucioni i Tetorit kur përmbyset sistemi monarkist). Ndonëse thoshte se Anglia nuk ishte demokratike, meqë është vend kapitalist me ndarje e privilegje klasore, ky për të megjithatë ishte shtet ku me qindra vite njerëzit jetonin pa konflikt, ku ligjet ishin të drejta, ku lajmeve mund t’ju besosh e ku nuk rrezikohesh nëse mbron pakicën – të dobëtit, të shkelurit.

“Pas kthimit nga Spanja, thashë ta tregoja mitin sovjetik me një rrëfim që kuptohet nga secili e që mund të përkthehet lehtë në shumë gjuhë. Por, detajet aktuale të rrëfimit nuk më vinin, derisa një ditë (kur jetoja në një fshat të vogël), e pashë një djalë të ri, ndoshta 10 vjeç, që drejtonte një karrocë kali në një rrugë të ngushtë, duke e fshikulluar kalin sa herë që përpiqej të kthehej. Thashë me vete se sikur shtaza të ishte e vetëdijshme për forcën që ka, ne nuk do të kishim pushtet ndaj tyre”, ka thënë ai.

Pra, ndasitë shoqërore, mes shtresës sunduese e popullit janë siç i ka përshkruar mbreti Nikolla i Malit të Zi: “Populli jêm – forca jême; populli jêm – gjâja jême”!

KALI DHE PROPAGANDA…

Pushteti korrupton, vartësit e pushtetit janë naivë. Ndaj, “Ferma e kafshëve” është simbol i paaftësisë së “gjâve” (popullit) për të luftuar për të drejtat e veta e për ta barazuar veten me klasën sunduese.

Te “Ferma…”, Majori Plak, një derr “urtak” (Marxi), sheh një ëndërr dhe fton në kryengritje kafshët e Fermës “Manor”, pronë kjo e një pijaneci. Por, problemi lind shpejt pasi askush nuk e kishte diturinë e ideatorit të revolucionit. Shtazët marrin pushtetin në fermë, largojnë njerëzit me maksimën se “të gjitha kafshët janë të barabarta”, mirëpo shpejt del se – sipas ideologjisë së re të animalizmit – “disa shtazë janë më të barabarta se të tjerat”. Dhe, këto shtazë “më të barabarta” janë derrat, brenda të cilit soj po ashtu lind lufta për supremaci: mes Napoleonit (Stalinit) dhe Topthit (Trockyt). Kali, gomari, delja, pula apo dhia, janë viktimat e rendit të ri; qentë janë forca e pushtetit; sorra është spiuni; macja linja e mesme neutrale… Dhe, në fund, të gjitha këto shtazë shërbëtore nuk e dinë se kush është derr (sundimtar i ri) e kush njeri (sundimtar i vjetër)!

Personazhi më i veçantë i propagandës në këtë rast është kali i quajtur Bokser. Ai është personifikim i Alexey Grigoryevich Stakhanovit, rusit që u shndërrua në model të punës dhe prodhimtarisë së sistemit komunist. Ai ishte hero i klasës punëtore, pasi më 31 gusht 1935, në media u raportua se ka nxjerrë 102 tonelata thëngjill – për pesë orë e 45 minuta (14 herë më shumë se kuota e kërkuar). Më 19 shtator u raportua se ka nxjerrë 227 tonelata – për një ndërrim. Kështu, fytyra e tij u shtyp në posterë dhe u shpërnda anekënd vendit. Por, gjithçka ishte gënjeshtër (diçka që nuk ndodhte në Anglinë e Orwellit).

Stakhanovi ishte Wlateusz Birkut, personazhi i Andrzej Wajdas te filmi “Njeriu i mermertë”. Birkuti, si murator model që tejkalonte normat e shtrimit të tullave, dërgohej në vende të ndryshme për të “ligjëruar teknikën revolucionare” të muratorisë. Por, si pjesë e dredhisë së pushtetit, “normat” e tij i vuanin punëtorët tjerë.

Ndaj, Bokseri është punëtori që kishte ndihmuar në përmbytjen e një sistemi, por që me naivitetin dhe besimin e verbër nuk e ndryshon gjendjen e tij në sistemin e ri. Ai është i fortë, i durueshëm, por i cekët në mendje. Bokseri është sherri i vetes dhe i të tjerëve: shfrytëzohet për të ndërtuar Mullirin e Erës – simbolin e ëndrrave të parealizuara që është bërë opium i masave; vritet dhe bëhet “udhërrëfyes” që duhet ndjekur, pa marrë parasysh se cila parti e cili sistem sundon.

DERRAT, QENTË DHE DELET E KAPITALIZMIT

“Ferma e kafshëve” botimin e parë e ka më 17 gusht 1945. Tri dekada pas vdekjes së Orwellit, inspiruar nga vepra e tij, më 23 janar 1977 rock-grupi Pink Floyd nxjerr në shitje albumin “Animals” (Gjâja): një kritikë për rrethanat politike dhe sociale të Britanisë së Madhe të viteve ’70 të shekullit të kaluar. Përderisa Orwelli i drejtohej komunizmit me kritikat e tij, Pink Floyd kritikonte kapitalizmin – një ideologji po aq mashtruese sa komunizmi.

Për këtë grup muzikor, shoqëria përbëhej nga derrat despotikë (sundimtarët), nga qentë e egër (forca e pushtetit), dhe nga delet budallaqe (gjâja). Derrat udhëzojnë qentë të shkelin delet – injorantët që nuk mund ta rregullojnë pozicionin e të shtypurit që e vuajnë. Dhe, çfarë bëjnë delet? Ndjekin trendet, ideologjinë, humbin individualitetin dhe besojnë se derrat mendojnë për ta.

Qentë janë pragmatistë të pamëshirshëm që udhëheqin biznese dhe që përmes kurtheve dhe intrigave ushtrojnë ndikim në politikë. Derrat janë politikanët e korruptuar, moralistët e rrejshëm që i japin të drejtë vetes për gjithçka dhe që kanë në pronësi koncernet dhe korporatat e mëdha. Ndërsa, delet janë ëndërrimtarët që ndjekin ideologjinë dhe urdhrat e të tjerëve, pa menduar për veten; janë kopetë, roli i vetëm i të cilave është të bien viktimë e qenve dhe e derrave e të përfundojnë në thertore.

Albumi “Gjâja” flet edhe për revolucionin në shoqërinë kapitaliste, sepse qentë ngordhin! Por, çfarë mund të ndodhë në një sistemi ku gjithmonë do të ketë “gjâ”? Asgjë, pos që disa dele marrin rolet e shkelësve – të qenve dhe të derrave.

Kjo është fytyra e shoqërisë moderne në Evropë, që nuk ndryshon nga profecitë e Orwellit – qoftë për Vëllain e Madh (“1984”) apo zookopshtin human ku “çdo gjeneratë e paramendon veten të jetë më e zgjuar se ajo që ka qenë më parë dhe më e zgjuar se ajo që po vjen”! Dhe, ku “gjuha politike është stisur për t’i bërë gënjeshtrat të tingëllojnë si të vërteta, vrasjen të ndershme dhe për ta bërë erën e pastër të duket e ngurtë”!

Për Orwellin, shfrytëzimi i kafshëve nga njerëzit është si eksploatimi i proletariatit nga të pasurit, ndaj shtonte se lufta e klasave është iluzion meqë lufta e vërtetë është veç mes shtazëve e njerëzve. Në rrethana të tilla, kur pushtetet veç ndërrohen, propaganda nuk ndalet e fytyra e mashtrimit mbetet e njëjtë, ma kali se delja s’ka! /Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Unë thjeshtë dua të luaj futboll" - Vini Jr me një gjest të shëmtuar në miqësore, Laporte tallet me të pas ndeshjes

La Liga
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

Magazina
Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në

Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në "Miss Universe", bukuroshja Rumy Alqahtani do t'i përfaqësojë në garën e bukurisë

Magazina
Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Zbulohet se sa do të jetë

Zbulohet se sa do të jetë "kostoja ditore" nga shembja e urës në Baltimore

Amerika
Kalo në kategori