Ferizaj, 70 vjeçarit i sekuestrohen 11 armë gjatë bastisjes në shtëpinë e tij - i dyshuari është intervistuar

Policia e Kosovës, sot, me urdhër të Gjykatës Themelore në Ferizaj, ka kryer një bastisje në shtëpitë e të dyshuarit me inicialet J.I. (70), ku ka gjetur dhe sekuestruar tetë armë të gjata dhe tri pistoleta pa leje.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se gjatë kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit J.I (M/K) i moshës 70 vjeç në Ferizaj janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 8 armë të gjata dhe 3 pistoleta pa leje, të cilat ishin të vendosura në dhoma të ndryshme të shtëpisë dhe në një depo të improvizuar që përdorej për modifikimin e armëve.
Tutje në njoftim thuhet se janë gjetur pjesë të ndryshme për armë dhe një sasi e konsiderueshme municioni të kalibrave të ndryshëm.
“Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e veprave penale: ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’, ‘Fshirja, heqja apo ndryshimi i kundërligjshëm i shenjave në armë të zjarrit apo në municion’ ”.
Ndërkaq, i dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj për procedura të intervistimit, ndërsa për veprimet e mëtutjeshme do të njoftoheni me raport shtesë. /Telegrafi/

















































