LAJMI I FUNDIT:

Ferit Sadiku shpallet qytetar nderi në Gostivar

Ferit Sadiku shpallet qytetar nderi në Gostivar

Në një solemnitet rasti nën moton “Gostivari në rend të parë”, mbrëmë në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit ishte shënuar festa komunale – 23 dhjetori.

Para të pranishmëve, në mesin e së cilëve ishte presidenti i shtetit Stevo Pendarovski dhe ish-kryetarët e komunave Enver Zenku dhe Xhemail Rexhepi, u prezentua një videomaterial në të cilin ishin prezentuar mbi 100 projekte në të cilat ka investuar Komuna.


Në fjalimin e kryetarit të komunës, Arben Taravari i falënderoi paraardhësit e tij, për të cilët siç tha, kanë dhënë shumë për zhvillimin e qytetit dhe demokracisë.

“Në ditën e Komunës, dëshiroj sinqerisht t’i falënderoj paraardhësit e mi. Ata në kohë shumë të vështira paguan çmim të lartë që ta mbrojnë lirinë dhe demokracinë në qytet. Prandaj e falënderoj gjithësecilin prej tyre madje edhe ata që kanë dëshmuar se si nuk duhet të punohet. Të gjithë ata janë kryetarë komunash dhe historia do t’i regjistrojë në faqet e veta”, tha Taravari.

Ai në fjalim përmendi se si simpatizant i Kushtetutës amerikane, nuk do të kandidohet për mandatin e tretë, pasi konsideron se dy janë të mjaftueshëm.

Në solemnitet, me mirënjohjen “qytetar nderi” ishte dekoruar mjeku i pensionuar, Ferit Sadiku, ndërsa mirënjohje për promovimin e Gostivarit morën Kimet Jusufi, Vedut Purde dhe Maria Milloshevska për arritje ndërkombëtare dhe kampione botërore në vallëzimin modern, Andi Ismaili për arritje ndërkombëtare në art.