Ferit Idrizi viziton fermerët në Reznik, uron sezon të mbarë të korrje-shirjeve në Vushtrri


Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se në komunë kanë filluar korrje-shirjet, ndërsa gjatë së dielës ka vizituar dy fermerë nga fshati Reznik, të cilët kultivojnë sipërfaqe të konsiderueshme bujqësore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Idrizi bëri të ditur se ka vizituar vëllezërit Zymer dhe Aid Mustafa, të cilët, sipas tij, kanë mbjellë mbi 110 hektarë me grurë, misër dhe luledielli.
"Korrje-shirjet në Vushtrri tashmë kanë filluar, e sot pata kënaqësinë të vizitoj dy vëllezër të vyer nga fshati Reznik, Zymer dhe Aid Mustafa, të cilët me shumë punë e përkushtim kanë mbjellë mbi 110 hektarë me grurë, misër dhe luledielli", ka shkruar Idrizi.
Ai ka vlerësuar angazhimin e fermerëve vushtrrias, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tyre në zhvillimin e bujqësisë.
"Vushtrria krenohet me fermerët e saj të vyer, të cilët çdo vit me përkushtim punojnë tokën", ka theksuar kryetari i Vushtrrisë.
Në fund, Idrizi ka uruar që sezoni i sivjetmë i korrje-shirjeve të jetë i suksesshëm dhe me rendimente të mira për të gjithë fermerët.
"Uroj që ky të jetë një sezon i mbarë, me bereqet për të gjithë fermerët tanë", ka përfunduar ai. /Telegrafi/






































