500 euro gjobë për hedhjen e mbeturinave në hapësirë publike në Vushtrri

Drejtoria për Inspektime e Komunës së Vushtrrisë ka shqiptuar një gjobë prej 500 eurosh ndaj një personi për hedhje të mbeturinave në hapësirë publike.
Sipas njoftimit të komunës, rasti është identifikuar pas pranimit të informatës dhe verifikimit në terren. Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Stacionin Policor në Vushtrri, është identifikuar pronari i automjetit nga i cili dyshohet se janë hedhur mbeturinat.
Ndaj personit janë ndërmarrë masat ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Komuna e Vushtrrisë ka apeluar te qytetarët që të mos hedhin mbeturina në hapësirat publike, duke paralajmëruar se ndaj shkelësve do të ndërmerren masa ligjore.
“Komuna e Vushtrrisë apelon te të gjithë qytetarët që të mos hedhin mbeturina në hapësirat publike, ndërsa ndaj çdo shkelësi do të ndërmerren masa në përputhje me ligjin”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/





































