Një djalë 11-vjeçar që po luante një lojë të zakonshme shakaje duke rënë zile dere në Houston të Teksasit, u qëllua për vdekje të shtunën, ndërsa po largohej me vrap nga një shtëpi.

Autoritetet thanë se djali u godit disa herë ndërsa ai dhe disa shokë po binin zile dere në një lagje të Eastside, transmeton Telegrafi.


Departamenti i policisë së Houstonit nuk e ka bërë të ditur identitetin e djalit apo të banorit të shtëpisë, por tha se një burrë i moshës së mesme është arrestuar dhe disa armë u gjetën më vonë në shtëpi.

Policia tha se djali kishte qenë duke luajtur "ding-dong ditch", që përfshin rënien e ziles së derës së një shtëpie dhe ikjen me vrap. Një dëshmitar e pa djalin të binte zile dere dhe të largohej nga prona përpara se të goditej nga të shtënat me armë zjarri.

"Një dëshmitar deklaroi se mashkulli po vraponte nga një shtëpi, pasi kishte rënë zile dere, pak para se të pësonte një plagë me armë zjarri", tha policia në një deklaratë.

Fqinjët më vonë i thanë KPCR 2 se një burrë u pa duke u nxjerrë me pranga nga një automjet policie, dhe duke e shoqëruar atë në shtëpinë ku ndodhën të shtënat.

Detektivi i vrasjeve në Houston, Michael Cass, i tha agjencisë KHOU, bashkëpunëtores së CBS News, se një dëshmitar kishte kujtuar dikë që po dilte nga shtëpia, të cilit i ishte bërë shaka dhe "kishte qëlluar drejt fëmijëve që vraponin në rrugë".

"Për fat të keq, mjerisht, një nga djemtë, i cili ishte 11 vjeç, u qëllua në shpinë", tha Cass. /Telegrafi/