Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, u trajtua një temë me rëndësi të veçantë: përfshirja dhe sfidat e fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor.

Visar Sadiku, psikolog klinik, dhe Arben Zabeli, pedagog special, ndanë mendimet dhe përvojat e tyre mbi këtë çështje që shpesh mbetet në hije, por që ka ndikim të thellë në zhvillimin e këtyre fëmijëve dhe mirëqenien e tyre.


- YouTube www.youtube.com

Sadiku theksoi se sfidat më të mëdha për fëmijët me nevoja të veçanta fillojnë që në familje.

Sipas tij, mungesa e vetëdijes dhe pranimit nga ana e prindërve shpesh vonon diagnozën dhe ndërhyrjen e duhur.

“Stigma dhe stereotipizimi nisin që në shtëpi. Në shumicën e rasteve, prindërit fillimisht e mohojnë vështirësinë që ka fëmija i tyre dhe përpiqen t’ia atribuojnë sjelljet ose ngecjet faktorëve të jashtëm, si teknologjia apo ndikimi i televizorit”, tha Sadiku.

Ai shpjegoi se kjo sjellje është një mekanizëm mbrojtës psikologjik që prindërit përdorin për të mos u përballur me realitetin.

Por kjo vonesë në pranimin e gjendjes së fëmijës, sipas tij, ndikon negativisht në kohën e çmuar që mund të përdorej për ndërhyrje dhe trajtim të hershëm.

Kur vështirësitë nuk identifikohen herët, ato mund të kalojnë pa u vërejtur në arsimin parashkollor, por bëhen shumë më të dukshme dhe problematike në arsimin fillor dhe të mesëm.

“Çdo çrregullim zhvillimor klasifikohet në formën e lehtë, të moderuar dhe të rëndë. Edhe në rastet kur vështirësia është e lehtë, ajo mund të krijojë pengesa të mëdha në të nxënë”, shtoi Sadiku, duke theksuar nevojën për vlerësime profesionale dhe intervenim të hershëm.

Ndërsa, pedagogu special Arben Zabeli, me përvojë të gjatë në arsimin gjithëpërfshirës, theksoi se një nga sfidat më të mëdha në këtë drejtim është mungesa e komunikimit efektiv me prindërit.

“Pranimi i hershëm nga ana e prindërve dhe ndërtimi i një komunikimi të hapur dhe bashkëpunues është thelbësor. Pa këtë bashkëpunim, ne si mësimdhënës kemi vështirësi të mëdha në ofrimin e metodave të duhura për këta nxënës”, u shpreh Zabeli.

Ai tha se, ndonëse ka pasur përpjekje nga institucione të ndryshme si Ministria e Arsimit, OJQ-të dhe komunat, vështirësitë kryesore kanë mbetur.

Të dy ekspertët theksuan se ndërgjegjësimi kolektiv dhe institucional është çelësi për ndërtimin e një sistemi arsimor gjithëpërfshirës, që nuk i lë jashtë fëmijët me aftësi të kufizuara.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë. /Telegrafi/