Feith i vendosur kundër ndarjes së Kosovës

Feith, që është edhe i ngarkuari special për Kosovën do të jetë përgjegjës për zbatimin e planeve të hartuara nga i ngarkuari special Martti Ahtisaari, për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës. Atij i është kërkuar ta verë në veprim planin Ahtisaari për Kosovën.
Në një intervistë për BBC-në, Feith është përgjigjur se si do të mund ta parandalojë komuniteti ndërkombëtar ndarjen e Kosovës. “Kjo është një sfidë për ne. Na duhet që të shpjegojmë tani tek komunitetet e ndryshme qëllimet tona. Duhet që t'i bëjmë ata të kuptojnë përfitimet nga plani Ahtisaari”.
Këto përfitime, sipas tij, janë të mëdha. “Jo vetëm që ne kemi një numër burimesh të rëndësishme, por ka edhe plane për të ngritur komuna të reja, për të patur përfaqësim të mbrojtur, për veprim në fusha të tjera. Kjo duhet të kuptohet”.
Së dyti, sipas Feithit, ne duhet të sigurohemi se mund të mbrojmë themelin. Kemi nevojë për liri lëvizjeje, jo dhunë dhe mundësi që misionet tona të vendosen në të gjithë territorin.
Ndërkaq i pyetur se si do ta çoni mesazhin tek serbët, në veri të Kosovës, Feith ka thënë se nuk mendon se komuniteti serb apo Beogradi kanë shumë kundërshtime përsa i takon projekteve që janë në përfitim të komunitetit serb.
“Në fakt, ne dëgjojmë se janë të kënaqur me një numër projektesh që kanë të bëjnë me ta. Pra, kjo ka të bëjë me çuarjen e mesazhit tek ata, me të shpjeguarit me qëllim që të sigurohemi që ta ndajmë çështjen e statusit nga projektet teknike, që janë parashikuar në planin Ahtisaari”.
Lidhur me disa tregues se anëtarë të komunitetit serbë janë duke punuar për të çuar në një ndarje të Kosovës. Feith thotë se së pari, nuk është i sigurt dhe vë në dyshim nëse ndarja është vërtetë qëllimi i udhëheqjes së Beogradit, sepse ndarja sipas tij, mund të thoshte de facto njohje të shtetit të Kosovës.
“E dyta, siç e thashë ne patëm një takim me grupin drejtues ndërkombëtar, grupi i Miqve të Kosovës, një koalicion i rëndësishëm ku bën pjesë SHBA-ja dhe një numër vendesh të rëndësishme ndërkombëtare. Ne që të gjithë e kundërshtojmë parimin e ndarjes. Ky është qëndrimi ynë tani dhe ne nuk do të zmbrapsemi prej kësaj”, ka përfunduar ai.










































