Federata Angleze konfirmon dënimin e rëndë për gjyqtarin i cili e ofendoi Kloppin

Ish-gjyqtari i Ligës Premier, David Coote, është ndëshkuar nga Federata Angleze e Futbollit (FA) me një pezullim tetëjavësh, pasi ka bërë komente abuzive për Jurgen Klopp.
Ndëshkimi përfshin gjithashtu një program edukimi ballë për ballë.
Një Komision i Pavarur Rregullator i ka dhënë Cootet pezullimin tetëjavësh dhe edukim të detyrueshëm, për shkelje të rregullave.
“Pretendohet se në kundërshtim me rregullin E3.1 të FA, gjyqtari ka vepruar në mënyrë jo të duhur dhe/ose ka përdorur fjalë abuzuese dhe ofenduese për Jurgen Klopp në një video të regjistruar rreth korrikut 2020 dhe e cila u publikua në rrjetet sociale në nëntor 2024”.
Po ashtu pretendohet se veprimet e tij përbëjnë një "shkelje të rëndë’ sipas rregullit E3.2, pasi përfshinin referencë,eksplicite ose implicite, lidhur me kombësinë”, thuhej në reagimin e Federatës Angleze.
David Coote e pranoi akuzën, ndërsa UEFA e ka ndaluar nga drejtimi i ndeshjeve evropiane deri në qershor 2026.
Në të njëjtën kohë, tabloidi The Sun publikoi një video që sipas tyre tregon Cooten duke thithur pluhur të bardhë gjatë kohës që ishte zyrtar ndeshjesh në Euro 2024./Telegrafi/




















































