Faton Selmanaj shpallet kandidat për kryetar të Deçanit nga Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e Faton Selmanajt për kryetar të Komunës së Deçanit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një tubim me aktivistët e Qendrës në Deçan, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe sekretari organizativ Alim Rama, u zyrtarizua përkrahja për Selmanajn si përfaqësues të gjeneratës së re të udhëheqjes.
“Nga tokat pjellore te majat e bjeshkëve, Faton Selmanaj e njeh çdo cep të Deçanit dhe ka vendosur ta kthejë këtë pasuri në zhvillim e mirëqenie për të gjithë”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes.
Faton Selmanaj pritet të fokusohet në zhvillimin e bujqësisë si motor të ekonomisë lokale, turizmit malor e kulturor, si dhe në ofrimin e shërbimeve publike efikase dhe të barabarta për qytetarët e Deçanit.
“Me Faton Selmanajn në krye, kjo komunë do të bëhet partner i fortë i qeverisë qendrore aty ku fjala dhe puna ecin bashkë për të mirën e secilit qytetar”, thekson më tej Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas LVV-së, Deçani me Selmanajn në krye do të jetë “shembull i qeverisjes lokale që ecën në hap me zhvillimin shtetëror”. /Telegrafi/


















































