Fasadat e vjetërsuara në objektet e Prishtinës rrezikojnë qytetarët, intervenojnë zjarrfikësit

Një incident ka ndodhur sot (26 nëntor) në qendër të Prishtinës, ku fasada e një ndërtese ka rënë, duke shkaktuar shqetësim tek qytetarët.
Në vendngjarje kanë dalë menjëherë ekipet e zjarrfikësve dhe të emergjencës, të cilët kanë siguruar zonën dhe për të parandaluar rreziqe të tjera.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Malë Gashi, ka thënë për Telegrafin se kanë pranuar se fasada e vjetërsuar në një objekt në sheshin e Prishtinës është në rënie e sipër dhe kanë intervenuar për të shmangur rrezikun tek qytetarët.
“Kemi pranuar një informatë që disa fasada janë në rënie dhe e rrezikojnë kalimtarët aty. Kemi reaguar si ekip për ta eliminuar rrezikun. Ne kemi evituar rrezikun që mos të shkaktohet ndonjë rrezik ose ndonjë lëndim i ndonjë qytetari ose kalimtari aty për pranë”.
Ndërsa, Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica deklaroi se ky nuk është rasti i parë që intervenojnë në atë zonë dhe të tjera, pasi objektet janë vjetërsuar.
“Ky nuk është rasti i parë, domethënë kemi raste të tilla dhe jo vetëm në shesh, por edhe pjesë tjera e qytetit, ku si pasojë e fasadave të vjetërsuara, intervenojmë dhe largojmë rrezikun”, tha ai.
Autoritetet lokale apelojnë tek qytetarët të shmangin lëvizjet pranë ndërtesave kur ka era të forta dhe të raportojnë për raste të tilla për të shmangur pasoja të mëdha. /Telegrafi/







































