Nga: Anna Zofia Cichocka, historiane
Përktheu: Agron Shala

Që në momentin kur bolshevikët morën pushtetin në Rusi në vitin 1917, historia - si shkencë e së kaluarës - u shkatërrua. Ajo u shndërrua në një mjet politik, tërësisht të kontrolluar nga autoritetet komuniste dhe në një vegël të propagandës komuniste. Historia iu nënshtrua plotësisht ideologjisë marksist-leniniste dhe ishte Partia Komuniste ajo që vendoste gjithmonë se cili interpretim i kësaj ideologjie ishte i saktë. Kjo krijoi mundësinë për të manipuluar dhe rishkruar vazhdimisht historinë, sipas nevojave dhe ndjesive politike të regjimit sovjetik dhe në çdo moment të caktuar. Rezultati ishte një manipulim dhe falsifikim masiv i së kaluarës.


Ideologjia marksist-leniniste përcaktonte se forca lëvizëse e historisë ishte lufta e klasave që përbënte një marshim të pandalshëm drejt fitores së pashmangshme dhe globale të komunizmit. Teza e pashmangshmërisë legjitimonte shtetin e parë komunist, krijimi i të cilit paraqitej si një pikë kthese në historinë e njerëzimit. Ajo gjithashtu shërbente për të justifikuar politikat kriminale të bolshevikëve në Rusi dhe në territoret e pushtuara prej tyre. Grushti i shtetit me të cilin bolshevikët përmbysën në mënyrë efektive Republikën e sapokrijuar Ruse - e dalë nga rrënojat e regjimit carist - paraqitej si “Revolucioni i madh socialist i tetorit” i masave punëtore kundër shfrytëzuesve.

Bolshevikët fabrikuan versionin e tyre të historisë kombëtare dhe asaj botërore. Ata zgjidhnin prej saj vetëm ato ngjarje apo figura që shërbenin për të justifikuar vazhdimësinë e një procesi njëdrejtimësh historik. Ngjarjet dhe figurat që kishin (sipas interpretimit bolshevik) karakter revolucionar dhe që përfaqësonin “progresin” në etapa të ndryshme të historisë, paraqiteshin në mënyrë pozitive: nga Lufta e Gladiatorëve deri te Revolucioni Francez, nga Spartaku deri te pararendësit e shekullit XIX të komunizmit.

Lexo po ashtu: Totalitarizmi dhe virtyti i gënjeshtrës

Nga tradita ruse, përzgjidheshin ata që kishin luftuar kundër autokracisë cariste, si dekabristët apo Aleksandër Herzeni. Në thelb, në propagandën sovjetike BRSS-ja përfaqësonte vetë progresin - që do të thotë se gjithçka që i shërbente interesave të tij ishte progresive, dhe gjithçka që e kundërshtonte ishte reaksionare.

Këto parime ndiqeshin përmes eliminimit të përmbajtjes së “pasaktë” - që nga botimet historike e deri te tekstet shkollore. Pati edhe zëvendësime të emrave të rrugëve. Si pjesë e planit të Leninit për propagandën monumentale, u shkatërruan monumentet e heronjve para-revolucionarë dhe u zëvendësuan me të rinjtë që përkujtonin ngjarjet e lidhura me “revolucionin”. Këto ishin shpesh karikatura, të ndërtuara me shpejtësi dhe të lehta për t’u çmontuar nëse heronjtë e rinj binin nga piedestali. Kjo ishte, në mënyrë më të gjerë, një simbolikë e politikës historike të bolshevikëve.

Kalendari i festave zyrtare u ndryshua për të nxjerrë në pah ngjarjet e lidhura me grushtin e shtetit bolshevik. Për një kohë, historia - si lëndë - u zhduk nga shkollat. Kjo skemë u kopjua më pas edhe në vendet e tjera komuniste, përfshirë vendet e nënshtruara nga BRSS-ja.

Edhe historia e vetë Partisë Komuniste u manipulua. Pas vdekjes së Leninit, Josif Stalini eliminoi kundërshtarët dhe mori kontrollin e plotë të shtetit sovjetik. Kundërshtarët e tillë u zhdukën nga librat e historisë së Partisë. Propagandistët dhe historianët e frikësuar mezi arrinin të mbanin ritmin me ndryshimet. Që nga vitet ‘30 të shekullit XX e tutje, ishte vetë Stalini ai që diktonte versionin “e saktë” të historisë së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (bolshevikëve), e cila nuk ishte më një parti “leniniste”, por një parti “leniniste-staliniste”. Me rritjen e kultit të individit në BRSS, roli i Stalinit në Revolucion u ekzagjerua gjithnjë e më shumë.

Stalini gjithashtu u lavdërua si pasardhësi i despotëve që kishin ndërtuar fuqinë e perandorisë ruse në të kaluarën: Ivani i Tmerrshëm, Pjetri i Madh dhe Katerina e Madhe. Në vitet ’30 të shekullit XX, në propagandën dhe kulturën sovjetike u shfaq një nacionalizëm rus në rritje. Doli se edhe carët mund të ishin “reaksionarë” ose “progresistë”, për aq kohë sa i shërbenin fuqisë së shtetit dhe përfaqësonin përfitimet e autokracisë. Burimet e krenarisë kombëtare u kërkuan në historinë e Rusisë para-revolucionare. Motivi i një “Rusie të fortë” u paraqit në fjalimet e Stalinit. Patriotizmi sovjetik dhe ai rus u bënë një.

Historia e Partisë Komuniste e Bashkimit Sovjetik (bolshevikëve) u botua në vitin 1938. Ajo synonte të përfundonte një herë e përgjithmonë të gjitha debatet rreth historisë së Partisë, si dhe të çështjeve të tjera historike. Autorësia e veprës anonime, me kalimin e kohës iu atribuua Stalinit i cili e emëroi veten si historiani më i shquar.

Kjo e ashtuquajtur “bibël e stalinizmit”, plot me gënjeshtra dhe maskime, përcaktonte në mënyrë të prerë versionin e vetëm “të ligjshëm” të së kaluarës. U bë teksti i detyrueshëm shkollor, si për qytetarët e BRSS-së ashtu edhe për vendet e tjera të nënshtruara prej tij në vitet që do të pasonin. Gjatë kësaj periudhe, ajo kishte mbi 300 botime, u përkthye në më shumë se 60 gjuhë dhe pati një tirazh prej mbi 40 milionë kopjesh. Kursi i shkurtër paraqiste një skemë të thjeshtuar të zhvillimit botëror, e cila reduktohej në një varg formacionesh: shoqëria primitive, skllavëria, feudalizmi, kapitalizmi dhe socializmi. Kjo ishte mënyra e vetme se si duhej të përshkruhej historia - madje edhe në ato vende ku formacionet e tilla nuk kishin ekzistuar kurrë. Ai vendoste kultin e Vladimir Leninit dhe dishepullit të tij më të devotshëm, Stalinit, si udhëheqësit gjenialë dhe të pagabueshëm të Partisë Komuniste, duke ekzagjeruar rolin e Stalinit në organizimin e Partisë Bolshevike, Revolucionin e Tetorit dhe shtetin sovjetik.

Në të njëjtën kohë, drejtuesit realë të revolucionit ose injoroheshin, ose përshkruheshin si tradhtarë. Prej atëherë, historianët ishin të detyruar të citojnë të gjitha këto “zbulime”. Faktet e bazuara në dokumente nuk kishin më rëndësi, dhe arkivat përfunduan gjithsesi nën kontrollin e policisë politike. Çdo largim nga interpretimi zyrtar rrezikonte represion. Historia përfundimisht u nacionalizua. Filozofi i shquar, Leszek Kołakowski, e quajti këtë “një tekst të përsosur të kujtesës së falsifikuar”, përmes së cilës “partia duhej të ushtronte pushtet mbi mendjet dhe të shkatërronte si mendimin kritik, ashtu edhe kujtesën shoqërore për të kaluarën e vet”.

Pas nënshkrimit të Paktit Molotov-Ribentrop me Gjermaninë Naziste në vitin 1939, propaganda ofroi argumente historike për ta justifikuar atë. Gjithashtu, e gjithë përmbajtja anti-gjermane u zhduk gjithashtu nga botimet historike. Gjermania u paraqit si djep i marksizmit, dhe krahasimet e Hitlerit me Napoleonin u ndaluan.

Sulmi i Rajhut të Tretë ndaj Bashkimit Sovjetik në vitin 1941 u pasua nga një kthesë tjetër në propagandën sovjetike. Ideologjia marksiste u zbeh në favor të temave kombëtare dhe patriotike. Sloganet komuniste rezultuan të padobishme për të nxitur ndjenjën e identifikimit me atdheun dhe gatishmërinë për të bërë sakrifica. Lufta kundër Hitlerit u përshkrua si “Lufta e madhe patriotike”, një referencë ndaj traditës së mbrojtjes kundër pushtimit të Napoleonit në vitin 1812. Në fjalimet e tij, Stalini përmendte komandantë të mëdhenj: Aleksandër Nevskin, Dmitri Donskoin, Aleksandër Suvorovin dhe Mihail Kutuzovin.

U krijuan urdhra që i referoheshin faqeve të lavdishme të historisë ushtarake të perandorisë, duke theksuar kështu vazhdimësinë midis forcave të armatosura historike të Rusisë dhe Ushtrisë së Kuqe të kohës. U vu në dukje roli i fesë ortodokse në historinë e kombit dhe të shtetit, si rezultat i një ndryshimi taktik të qëndrimit ndaj Kishës Ortodokse. Shteti i financoi bujarisht filmat historikë. Filmi i Ajzenshtajnit, Aleksandër Nevski, i cili ishte hequr nga ekranet pas Paktit me Hitlerin për shkak të temave “anti-gjermane”, u shfaq sërish. Vetë Stalini e hoqi nga skenari skenën e vdekjes së Aleksandrit, duke thënë: “Një princ kaq i mirë nuk mund të vdesë”!

Propaganda sovjetike falsifikoi për vite të tëra pamjen e Luftës së Dytë Botërore. Pushtimi sovjetik i Polonisë në vitin 1939 u përshkrua si “çlirimi i popujve vëllazërorë”, ndërsa aneksimi i shteteve baltike në vitin 1940, si “fitorja e revolucionit socialist” dhe “drejtësi historike”. Sipas propagandës sovjetike, Lufta e Dytë Botërore zgjati nga viti 1941 deri në vitin 1945, duke shmangur të vërtetën e papërshtatshme të aleancës me Hitlerin.

Nuk u përmendën represionet sovjetike në territoret e pushtuara nga BRSS-ja, si deportimet në thellësi të BRSS-së të estonezëve, finlandezëve, lituanezëve, letonezëve, polakëve, rumunëve, ukrainasve, hebrenjve dhe të tjerëve, si dhe rrethanat që lidhen me Masakrën e Katinit të vitit 1940 e cila iu atribuua gjermanëve. Edhe ndihma materiale e Perëndimit për BRSS-në, gjatë luftës, ishte një temë e ndaluar.

Pas fitores në Luftën e Dytë Botërore, shovinizmi i madh rus dhe kulti i Stalinit si “udhëheqësi gjenial”, arritën kulmin dhe përmasat e karikaturës. Propaganda sovjetike e ndërthurte këtë me marksizmin, duke krijuar një lloj përzierjeje hibride. Një nga shfaqjet e këtij fenomeni ishte pretendimi se të gjitha shpikjet kryesore në historinë e teknologjisë ishin vepër e rusëve.

Kjo tezë pasqyrohej në zërat e Enciklopedisë së madhe sovjetike, e botuar për herë të parë në vitin 1949. Mohimi i këtyre “të vërtetave” stigmatohej si shenjë e “kozmopolitizmit” dhe poshtërim ndaj Perëndimit. Antisemitizmi ishte gjithashtu një veçori e propagandës së kohës, pasojë e së cilës ishte heshtja rreth Holokaustit.

Pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953, u bë sërish e qartë ajo që historiani i parë marksist rus, Mihail Pokrovski, kishte thënë: “Historia është politikë e projektuar mbrapsht”. Në vitin 1956 u mbajt Kongresi i XX i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Udhëheqësi i ri, Nikita Hrushovi, mbajti një fjalim, “Mbi kultin e individit dhe pasojat e tij”, në një seancë të mbyllur.

Ai e dënoi Stalinin për ndërtimin e kultit ndaj vetes, si edhe për represionet ndaj anëtarëve të partisë (ndërsa viktimat e tjera të krimeve masive u anashkaluan), për deportimet e popujve dhe për gabimet e bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfshirë besimin ndaj Hitlerit. Që nga ai moment, fitorja në Luftën e Dytë Botërore filloi të paraqitej në propagandë si rezultat i përpjekjes kolektive të popullit dhe ushtrisë, dhe si meritë e komandantëve të cilët tani riktheheshin në vlerë.

Kjo çoi në botimin e shumë kujtimeve të komandantëve të Ushtrisë së Kuqe, si Ivan Konev dhe Georgij Zhukov. Hrushovi kritikoi Kursin e shkurtër, duke vënë në pikëpyetje mënyrën si paraqitej Stalini në këtë vepër. Ai theksoi nevojën për një tekst të ri marksist për shkolla, të bazuar në fakte, për historinë e Partisë dhe për një rikthim te parimet leniniste. Si pasojë, u rehabilituan shumë aktivistë të Partisë të përjashtuar nga Stalini.

Duke fajësuar Stalinin, Hrushovi e lau veten dhe bashkëpunëtorët e tjerë të tiranit, duke i çliruar nga përgjegjësia për krimet në të cilat kishin marrë pjesë. Gënjeshtrat historike shërbyen si një mjet në luftën për pushtet dhe garantonin vazhdimësinë e sistemit. Në këtë version, despoti ishte fajtor, ndërsa vetë sistemi mbetej në thelb i drejtë. Autoriteti i Stalinit paraqitej si një devijim i përkohshëm nga komunizmi i cili, sipas Hrushovit, duhej të kthehej në shinat e duhura - me vetë atë si pasuesin e vërtetë të Leninit.

I njëjti mekanizëm u përdor më pas nga pasardhësit e tjerë të udhëheqjes sovjetike, dhe teza se partia dhe populli nuk kishin dijeni për abuzimet e Stalinit me pushtetin, mbeti në fuqi deri në fundin e ekzistencës së BRSS-së. Ky manipulim çon në tezën e rreme se stalinizmi nuk mund të barazohet me një sistem komunist që në thelb është legjitim. Kritika ndaj Stalinit vazhdoi edhe gjatë Kongresit të XXII të Partisë në vitin 1961. As epoka e Hrushovit nuk ishte pa gjurmë të kultit të individit. Tani ishte vetë Hrushovi ai që paraqitej si pasardhësi i vetëm legjitim i Leninit. Tekstet e reja shkollore e ekzagjeronin rolin e tij në “revolucionin” bolshevik, në luftë dhe në periudhën pas saj.

Pasardhësi i Hrushovit, Leonid Brezhnevi, gjithashtu ndërtoi një kult rreth vetes. Ndër të tjera, u ekzagjerua roli i tij në “Luftën e madhe patriotike”. Episodi i vogël i pjesëmarrjes së tij në luftë filloi të përshkruhej gjerësisht dhe të lavdërohej në poezi dhe këngë. Brezhnevi vuante nga barra e urdhrave. Kjo bënte pjesë në një politikë më të gjerë të mitologjizimit të mëtejshëm të luftës së viteve 1941-1945 dhe idealizimit të Ushtrisë së Kuqe në histori, art dhe hapësirën publike. Kujtesa e luftës ishte një element i rëndësishëm në edukimin e brezit të ri gjatë kësaj periudhe. Festimet e Ditës së Fitores më 9 maj, të rikthyera në vitin 1965, u bënë festa e dytë më e rëndësishme publike pas përvjetorit të revolucionit. Nga viti 1967 filloi rehabilitimi gradual dhe i pjesshëm i Stalinit.

Mihail Gorbaçovi, udhëheqësi i fundit i BRSS-së që erdhi në pushtet në vitin 1985, në thelb mbrojti shumë nga gënjeshtrat e propagandës komuniste. Ai e përshkroi “revolucionin” bolshevik si një zgjedhje të lirë të popullit. Duke promovuar sloganin e “kthimit te leninizmi”, ai foli për karakterin e keq të Stalinit dhe përgjegjësinë e tij për përndjekjen e komunistëve. Kolektivizimin e justifikoi si të domosdoshëm dhe në mënyrë të përsëritur e minimizoi numrin e viktimave. Ai mbrojti aleancën e BRSS-së me Hitlerin, si dhe ndërhyrjen sovjetike në vendet e bllokut lindor. Në të njëjtën kohë, politika e “glasnostit” (hapjes) që ai shpalli, krijoi kushtet për një proces shoqëror nga poshtë për të plotësuar “zonat bosh” të historisë.

Gënjeshtrat ishin një nga themelet kryesore të sistemit komunist. Manipulimi i historisë shërbente për të ruajtur pushtetin e elitave sunduese. Shpesh, ai merrte forma primitive. Simbolike është, për shembull, “zhdukja” e shefit të NKVD-së, Nikolai Jezhov, nga një fotografi e vitit 1937 me Stalinin pasi ky i fundit nuk e pëlqeu më, apo fshirja e faqes së Enciklopedisë së madhe sovjetike që kishte emrin dhe portretin e Lavrenti Berias, kreut të policisë politike, dhe zëvendësimi i saj me një hyrje të titulluar “Deti i Beringut” - pas ekzekutimit të tij në vitin 1953.

Autoritetet komuniste organizuan gjithashtu fushata të gjera dhe cinike propagandistike, duke përfshirë gjithë aparatin shtetëror. Për shembull, kur në vitin 1990 BRSS-ja më në fund e pranoi Masakrën e Katinit, Gorbaçovi njëkohësisht urdhëroi krijimin e një kundërpeshe propagandistike ndaj krimeve sovjetike kundër qytetarëve polakë. Si kundërpeshë do të shërbenin vrasjet e supozuara të ushtarëve sovjetikë gjatë Luftës Polako-Bolshevike (1919-1921). Jo vetëm deri para kolapsit të Bashkimit Sovjetik, por edhe në Rusinë e sotme historia mbeti - dhe vazhdon të mbetet - një mjet i dobishëm politik. Disa nga këto falsifikime përsëriten ende në Rusi dhe janë pjesë e politikës së saj historike. /Telegrafi/