Ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson, të martën bëri thirrje që Evropa të përshpejtojë përgatitjet për një konflikt të armatosur, duke pasur parasysh kërcënimin që paraqet Rusia.

"Ne duhet të përvetësojmë një mentalitet të ri evropian, nga një mentalitet në kohë paqeje në një gatishmëri në kohë lufte", ka thënë Jonson në Berlin përpara një takimi me homologun e tij gjerman Boris Pistorius, përcjell Telegrafi.


Rusia po riarmatoset dhe po zhvillon masivisht një ushtri "më vdekjeprurëse" me përparim të madh në armët me rreze të gjatë veprimi dhe luftën elektronike, tha Jonson në një aktivitet në Fondacionin Konrad Adenauer.

Andaj, ai paralajmëroi se partnerët e NATO-s duhet të koordinohen më thellë në mbrojtje.

"Ne flasim për një diversitet brenda aleancës kur bëhet fjalë për investimet në mbrojtje", tha Jonson.

"Kjo nuk është mirë. Nuk dua të shoh fragmentim në investimet në mbrojtje".

Pasi mbeti neutrale gjatë Luftës së Ftohtë, Suedia iu bashkua NATO-s vitin e kaluar në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

"Ne e shohim Ukrainën si mburojë - kundër zgjerimit ushtarak rus", tha ai.

"Por tani për tani, po shohim gjithashtu se barra e mbështetjes financiare të Ukrainës mbahet edhe nga gjithnjë e më pak aleatë brenda NATO-s".

Jonson bëri thirrje gjithashtu për një bashkëpunim më të fortë dypalësh në mbrojtje me Gjermaninë, duke argumentuar se të dy qeveritë duhet të promovojnë standardizimin dhe kontratat afatgjata.

Berlini dhe Stokholmi po ndjekin një rrugë të ngjashme në aspektin e strategjisë së mbrojtjes, theksoi ai.

Të dy vendet po investojnë shuma rekord në mbrojtje pas një periudhe të gjatë mungese fondesh, ndërsa përballen gjithashtu me të njëjtat sfida nga lufta në Ukrainë dhe kërcënimi rus në rajonin e Detit Baltik, argumentoi Jonson. /Telegrafi/