LAJMI I FUNDIT:

Eurozona redukton suficitin tregtar

Eurozona redukton suficitin tregtar

Eurozona ka reduktuar suficitin tregtar me pjesën tjetër të botës gjatë muajit prill, ndërkohë që eksportet ranë ndërsa importet u rritën, tregojnë të dhënat e Zyrës së Statistikave të Bashkimit Europian.

Eurostat raportoi se suficiti tregtar i mallrave rezultoi 17.9 miliardë euro, nga 30.9 miliardë që ishte në muajin mars dhe 26.6 miliardë që ishte në të njëjtën periudhë një vit më parë. Analistët projektonin që bilanci tregtar të rezultonte në një suficit prej 27.2 miliardë euro. Eksportet e mallrave të Eurozonës me pjesën tjetër të Botës për muajin prill, arritën në një vlerë prej 167.7 miliardë euro, në rënie me 3% nga e njëjta periudhë një vit më parë. Importet nga ana tjetër, patën një rritje me 3% me bazë vjetore, duke arritur 149.8 miliardë euro.


Nga janari në muajin prill, eksportet me pjesën tjetër të botës qëndronin në 707.2 miliardë euro, në rritje me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, ndërsa importet, në 643.9 miliardë, në rritje me 11%. Kjo solli një suficit prej 63.2 miliardë euro, krahasuar me 78.1 miliardë që ishte në janar-prill 2016.

Eksportet drejt Shteteve të Bashkuara, që është partneri kryesor tregtar, u rritën me 6% me bazë vjetore në 126 miliardë euro, duke sjellë një suficit prej 39.5 miliardë, nga janari në muajin prill. Eksportet drejt Kinës, partnerin e dytë më të madh tregtar, u rritën me 17% në 62.5 miliardë, duke tkurrur deficitin me ekonominë e dytë më të madhe në botë në 52.9 miliardë euro. Valuta europiane reagoi duke rënë lehtë kundër dollarit amerikan, në 1.1166, pas publikimit të të dhënave. /Telegrafi/