Estevao Willian emocionin tifozët e Chelseat me intervistën e fundit

Chelsea kishte arritur marrëveshje për transferimin e Estevao Willian që verën e kaluar, për një shumë që mund të shkojë deri në 55 milionë euro.
Megjithatë, vetëm tani anësori brazilian mund t’i bashkohet zyrtarisht klubit londinez, pasi ka mbushur 18 vjeç më herët gjatë këtij viti.
Talenti i ri postoi së fundmi një intervistë në llogarinë e tij në Instagram, ku shprehu emocionet dhe padurimin për të nisur aventurën me Chelsean.
“Vëlla, mezi pres, seriozisht, të vesh fanellën e Chelseat, të përfaqësoj këtë klub – e kupton?”, u shpreh ai me entuziazëm.
“Sidomos tani që do të luajmë në Ligën e Kampionëve, në Ligën Premier dhe në kampionatet më të rëndësishme. Jam shumë i emocionuar”.
Ndryshe nga shumë lojtarë të rinj që i bashkohen klubit dhe kalojnë në huazime apo në ekipin e të rinjve, Estevao pritet të jetë menjëherë pjesë e skuadrës së parë.
Kjo vjen pas paraqitjeve mbresëlënëse që pati në Kupën e Botës për Klube, ku përfaqësoi Palmeiras me mjaft sukses. /Telegrafi/


















































