Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka pranuar hapur se është i shqetësuar për numrin në rritje të lëndimeve brenda skuadrës së tij, duke theksuar se problemi mund të zgjerohet pavarësisht masave që merr në stërvitje.

Ai nënvizoi se situata ka arritur në një pikë ku çdo lëvizje është bërë e rrezikshme dhe se ekipi po futet në një cikël të vështirë dhe të rrezikshëm fizik.


“Jo, sepse nuk kemi kohë të stërvitemi”, tha Arteta kur u pyet nëse ngarkesa e tepërt në stërvitje ka ndikuar në lëndimet.

“Sot (të martën) stërviten vetëm 20 minuta, kështu që me siguri nuk është për shkak se i kemi stërvitur tepër lojtarët”.

Sipas tij, problemi nuk qëndron te metodat e stërvitjes, por te fakti që mungesat e shumta e detyrojnë trajnerin të ngarkojë futbollistët e mbetur shumë më tepër se zakonisht.

“Kur të mungojnë lojtarë, ti rrit ngarkesën te ata që janë në dispozicion, dhe kjo ka pasoja. Është një rreth shumë i rrezikshëm”, shtoi ai.

Arteta bëri edhe një ndarje të qartë të lëndimeve që kanë goditur skuadrën, duke sqaruar se disa prej tyre janë dëmtime afatgjata, ndërsa të tjerat janë dëmtime akute që ndodhin papritur.

“Duhet të ndajmë llojet e lëndimeve. Disa kanë qenë afatgjata, disa të menjëhershme. Është diçka që e analizojmë vazhdimisht”, theksoi trajneri spanjoll.

“Kemi luajtur shumë ndeshje me shumë mungesa dhe kjo i vë nën stres maksimal lojtarët që mbeten në fushë. Pastaj, natyrshëm, marrim edhe më shumë lëndime.”

Në këtë atmosferë presioni fizik dhe sportiv, Arsenalit i është shtuar edhe një lajm negativ: Max Doëman është bërë futbollisti më i fundit që ka pësuar një dëmtim serioz./Telegrafi/

telegrafi sport app