Drejtori sportiv i Al-Ittihadit Ramon Planes, ish-zyrtar i Barcelonës, beson se Liga Profesionale e Arabisë Saudite mund të shndërrohet në një destinacion shumë tërheqës edhe për yje të nivelit të lartë si Vinicius Junior i Real Madridit, madje në kulmin e karrierës së tyre.

“Po, e shoh si një mundësi që lojtarë si Vinicius të vijnë këtu në Arabinë Saudite”.


“E shoh ligën duke u zhvilluar dhe është plotësisht e realizueshme që lojtarë të nivelit më të lartë, në kulmin e karrierës së tyre, të luajnë këtu”.

Sipas tij, filozofia e klubeve saudite ka ndryshuar ndjeshëm në krahasim me vitet e kaluara.

“Tendenca tani është të afrojmë lojtarë në një moshë shumë të mirë për karrierën e tyre futbollistike. Nuk bëhet më fjalë vetëm për futbollistë që janë në fazën përfundimtare të karrierës”.

E ardhmja e Vinicius Junior vazhdon të jetë objekt spekulimesh. Kontrata e tij me Real Madridin skadon në qershor të vitit 2027, por bisedimet për rinovim kanë hasur vështirësi për shkak të mosmarrëveshjeve financiare.

25-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve nga Arabia Saudite, ndërsa situata e tij kontraktuale po ndiqet nga afër. Edhe pse Real Madridi e konsideron brazilianin një pjesë kyçe të projektit sportiv, interesimi nga Lindja e Mesme mbetet real, duke e mbajtur të hapur një skenar që deri pak kohë më parë dukej i pamendueshëm./Telegrafi

telegrafi sport app