Deputetja dhe aktorja e njohur Adriana Matoshi ka tërhequr sot (e premte) vëmendjen në Kuvendin e Kosovës, për stilin e veçantë dhe të guximshëm që ka zgjedhur të prezantojë në këtë ditë të rëndësishme për jetën parlamentare të vendit.

E veshur me një fustan të bardhë me pika të zeza, të stiluar me volanë dhe mëngë të fryra, Matoshi ka sjellë një frymë të freskët në ambientin e zakonshëm të Kuvendit.


Veshja e saj u shoqërua me geta të bardha dhe taka të kuqe të ndezura – një kombinim që për shumëkënd mund të jetë dukur goxha sfidues për kodin e veshjes formal të një institucioni siç është kuvendi.

Fotografitë e realizuara në hyrje të Kuvendit të Kosovës tregojnë deputeten duke hyrë në objekt me një vetëbesim të palëkundur, ndërsa në sfond zhvillohej tentativa e njëzetë për konstituimin e legjislaturës.

Adriana Matoshi, e cila vjen nga fusha e artit dhe njihet për rolet e saj të spikatura në film e teatër, ka sjellë shpesh në skenën politike një qasje autentike, duke u dalluar si zë i lirë dhe i pandikuar në çështjet që përfaqëson.

Stili i saj i sotëm mund të lexohet edhe si një deklaratë në vetvete: një reflektim i shpirtit të lirë, i një gruaje që nuk heziton të thyejë konvencat – as në politikë, e as në modë. /Telegrafi/

Adriana Matoshi në Kuvendin e Kosovës (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)