Errësira pas skenave të famshme urbane të artistit britanik LS Lowry
Piktori i njohur pëlqente ta quante veten njeri të thjeshtë që krijonte veprat e tij me materiale të thjeshta. Në vitin 1957, ai i tregoi BBC-së se si i ndërtonte nga imagjinata pikturat e tij për jetën urbane industriale dhe përshkroi vetminë që i frymëzonte ato.
Nga: Greg McKevitt / BBC (titulli: 'I sensed an enormous inner desolation': The darkness behind British artist LS Lowry's famous city scenes)
Përkthimi: Telegrafi.com
Kur Laurence Stephen Lowry vdiq më 23 shkurt 1976, në moshën 88-vjeçare, pak njerëz e dinin se ai kishte bërë një jetë të dyfishtë si mbledhës qirash me kohë të plotë, madje edhe pasi përshkrimet e tij të peizazheve industriale të mbuluara me blozë të Anglisë veriore, e kishin bërë një nga artistët më të dashur të Britanisë. Suksesi i erdhi vonë, por ishte i përcaktuar të mos e linte ta ndryshonte; madje refuzoi edhe titullin e kalorësit, sepse nuk donte që njerëzit të mendonin se ishte bërë sqimatar. Pjesën më të madhe të pasurisë së tij të madhe ia la një vajze të re e cila, kur ishte 13 vjeçe, i kishte shkruar duke i kërkuar këshilla se si të bëhej artiste.
- Lexo po ashtu: Piktori në hije: Fotografia më e mirë nga Derry Moore
Në vitin 1957, BBC realizoi një dokumentar të shkurtër ku Lowry shfaqej para telajos. Në film zbuloi mënyrën se si punonte, shprehitë e tij krijuese dhe pse pikturonte figurat e tij karakteristike si shkrepësa. “I shoh ashtu, prandaj i pikturoj ashtu - kaq është”, tha ai. Megjithëse i pëlqente ta përshkruante veten si njeri të thjeshtë, naiviteti i dukshëm i veprës së tij ishte maskë që fshihte një kompleksitet të brendshëm dhe dekada të tëra të edukimit të thellë artistik.
Lowry ishte 69 vjeç kur u transmetua filmi i BBC-së, pasi ishte pensionuar nga puna e tij e përditshme pesë vjet më parë. Meqë nuk kishte asnjë fitim nga pikturat e tij deri në moshën 58-vjeçare, nuk është çudi që kishte nevojë për të ardhura të qëndrueshme. Puna e tij përfshinte ecjen nëpër zonat më të varfra të Salfordit dhe Mançesterit për të mbledhur pagesat nga qiramarrësit. Ishin po ato trotuare ku një shekull më parë kishin ecur Karl Marx dhe Friedrich Engels, kur kushtet e ashpra industriale ndihmuan në formësimin e ideve të tyre revolucionare. Salfordi ishte gjithashtu Qyteti i vjetër i ndyrë [Dirty Old Town] në këngën folk të Ewan MacCollit, e bërë e famshme nga grupet The Dubliners dhe The Pogues.
Por, Lowry këmbëngulte se nuk kishte ndonjë arsye tjetër pse përqendrohej te muret e fabrikave të gazit dhe kanalet e vjetra, përveç faktit se ato kishin “diçka që më tërheq në sensin e pikturimit”. Ai i tha BBC-së: “Nuk jam reformator shoqëror; nuk mendoj se ka propagandë në punën time. Unë thjesht pikturoj skenat që shoh”. E vetmja gjë që e shqetësonte ishte se si ta përshkruante me vërtetësi jetën në hijen e fabrikave, depove dhe mullinjve të Anglisë.
Si është keqkuptuar
Historia romantike e origjinës se si Lowry u bë artist thotë se një ditë, në vitin 1916, ai humbi trenin. I tregoi John Readit, realizuesit të filmit të BBC-së, se si, pasi u gjend pa punë në një periferi të Mançesterit, rastisi në disa rrugë me shtëpi të njëpasnjëshme në këmbët e një fabrike gjigante. Ndërsa vështronte skenën, e pushtoi dëshira për ta pikturuar dhe në atë moment vendosi të bëhej artist. Kur pas vdekjes së tij doli në dritë se ai kishte mbajtur për vite me radhë një punë të zakonshme ditore, disa kritikë e hodhën poshtë duke e quajtur “piktor i së dielës”. E vërteta është se ai kishte studiuar pikturën dhe vizatimin për të paktën 20 vjet, duke ndjekur kurse në Shkollën e Artit në Mançester dhe në Shkollën e Artit në Salford.
Ashtu siç disa nga veprat e Picassos mund të duken të ashpra për syrin e painformuar, edhe pikturat e Lowryt mund të duken naive, por të dy artistët duhej së pari të zotëronin rregullat tradicionale përpara se të gjenin mënyra të reja për t’i thyer ato. Lowry nuk e duronte idenë që të konsiderohej artist amator. Një nga frymëzimet e tij më të mëdha ishte piktori Adolphe Valette, i cili mbërriti në Mançester në vitin 1906 për të dhënë mësim arti dhe për të prezantuar impresionizmin francez në qytet. Pikturat e Valettes për jetën moderne industriale patën një ndikim të rëndësishëm në tematikën dhe stilin e hershëm të Lowryt. Edhe pse Lowry ishte piktor i talentuar i peizazheve, me kalimin e kohës realizoi gjithnjë e më pak të tilla. Ndoshta mendonte se ajo që shihte gjatë punës si mbledhës qirash ishte më urgjente dhe më mbresëlënëse.
Megjithëse Lowry identifikohet me peizazhet industriale të Lankashirit, skenat e tij kryesisht buronin nga imagjinata dhe jo nga realiteti i drejtpërdrejtë. “Filloj me një telajo bosh dhe preferoj të pikturoj nga syri i mendjes sime”, tha ai. Fleta e bardhë nuk e frikësonte aspak. Edhe pse nuk kishte ide të paracaktuar se çfarë do të pikturonte, niste duke pikturuar ndërtesat dhe pjesa tjetër vinte vetë. “Ndonjëherë del shumë mirë dhe ndonjëherë, pa ndonjë arsye të dukshme, aspak mirë, por mund të duhen edhe disa vite për ta përfunduar një pikturë nga fillimi deri në fund. Natyrisht, janë piktura të ndërlikuara dhe plot me figura dhe detaje - gjithçka kërkon ekuilibër, dhe kjo nuk është e lehtë”.
“Jam një njeri i thjeshtë”, tha njëherë Lowry, “dhe përdor materiale të thjeshta: të zezë fildishi, të kuqe të ndezur, blu prusiane, okër të verdhë, të bardhën e plumbit dhe i përziejë ato pa asnjë hollues - vetëm këto përdor për pikturat e mia”. Lowry nuk besonte në pritjen pasive të frymëzimit. Në filmin e shkurtër të vitit 1957, ai tha se piktura ishte zakon, pavarësisht nëse ishte apo jo në disponim për të. Ai nuk donte që krijimtaria e tij të turbullohej nga mendimi i tepërt. “Kam vënë re se kur jam shumë i shqetësuar që të bëj diçka mirë, nuk e bëj aspak mirë; dhe, kur nuk duket se më intereson shumë dhe asgjë nuk më shqetëson, atëherë del mirë”, tha ai.
Ai vazhdonte të punonte me këmbëngulje mbi një pikturë derisa të ishte i bindur se nuk mund të bënte më asgjë me të. Refuzonte të kufizohej nga nocionet e sakta të kompozimit qendror dhe perspektivës, shpesh duke zgjatur ose ngjeshur ndërtesat për të theksuar gjallërinë e turmave të tij si shkrepëse. “Në fund të fundit, është thjesht pikturë - është trillim, nuk është realitet”, tha ai.

Filmi i shkurtër i BBC-së përdori një qasje që më pas u bë e zakonshme, duke ndërthurur narracionin e vetë Lowryt me skena ku ai shihej duke punuar. Pamjet u xhiruan në shtëpinë e Lowryt, plot me orë muri, në një fshat të gjelbëruar pranë Mançesterit, ku ai jetonte i vetëm. Producenti John Read kujtoi më vonë: “Pavarësisht figurës së tij disi të ngathët, ai kishte dinjitetin dhe qëndrimin e një zotërie. Por, kur e pashë ulur në atë dhomë, duke vështruar në zjarr ... ndjeva një shkretëtirë të madhe të brendshme te ky njeri”. Një vëzhgues i përjetshëm i jetës, veprat e Lowryt kapën melankolinë e turmave të mëdha. “Është e pashmangshme që të reflektoj veten time në figura - jam person shumë i vetmuar”, i tha ai BBC-së.
Lidhja me “njerëzit si shkrepëse”
Lowry fshihej pas një fasade të thjeshtë dhe tokësore, por kjo sjellje pa pretendime mund të ketë bërë që disa ta nënvlerësonin punën e tij si paaftësi. Kur u pyet pse pikturat e tij ishin të mbushura me kaq shumë figura si shkopinj shkrepësesh, ai tha se zakonisht fillonte vetëm me disa, por “për hir të kompozimit”, në fund “përfundon me një pikturë plot njerëz”. Në filmin e vitit 1957 ai këmbënguli se nuk e kishte problem që njerëzit i quanin figurat e tij “njerëz si shkrepëse”, por në vitet e mëvonshme filloi ta shihte këtë si një mënyrë përçmuese për të përshkruar punën e një artisti të trajnuar.
Megjithatë, ideja preku publikun britanik që blinte disqe kur dy vjet pas vdekjes së Lowryt, dueti muzikor Brian dhe Michael arriti vendin e parë në top-listat britanike, për tri javë, me këngën homazh Matchstalk Men and Matchstalk Cats and Dogs. Ky hit sentimental, me kor fëmijësh dhe ndryshim tonaliteti, përmban edhe një kthesë poetike: vargu “tani ai merr penelin dhe pret jashtë portave të fabrikës” shndërrohet në “portë perlash” në refrenin e fundit, duke aluduar për portat e parajsës.
Në të njëjtin vit kur BBC transmetoi filmin e shkurtër, Lowry mori një letër nga një vajzë 13-vjeçare, Carol Ann Lowry, e cila shkroi se, meqë kishin të njëjtin mbiemër, a kishte ai ndonjë këshillë se si ajo mund të bëhej artiste. Ai nuk iu përgjigj me letër, por disa muaj më vonë u shfaq papritur në shtëpinë e saj në Roçdejl. Pas habisë fillestare për këtë burrë të panjohur në pragun e derës, ajo u bë një lloj vajze e adoptuar për të. Kur ai vdiq në shkurt 1976, në moshën 88-vjeçare, artisti i pamartuar ia la asaj pjesën më të madhe të pasurisë së tij.
Disa muaj pas vdekjes së tij, Akademia mbretërore organizoi një ekspozitë retrospektive të veprave të tij, e cila u prit me shumë vlerësime. Në katalogun e ekspozitës, poeti laureat John Betjeman shkroi se veprat e mbledhura të Lowryt do të rrëzonin çdo ide se ai ishte “thjesht një tjetër ‘primitiv’ autodidakt me pasion për arkeologjinë industriale”. Sipas tij, “mbi gjithë veprën e tij rëndon një melankoli kërcënuese. Ai është piktor i vetmisë”.
Megjithëse Lowry e çmonte vlerësimin që i sillte anëtarësimi në Akademinë Mbretërore, ai mbeti gjithmonë dyshues ndaj establishmentit artistik që përfaqësonte. Mbretëresha u përpoq ta nderonte Lowryn pesë herë - rast rekord - duke përfshirë një OBE [Urdhri i Perandorisë Britanike] në vitin 1955, një CBE [Komandant i Urdhrit të Perandorisë Britanike] në vitin 1961 dhe një titull kalorësi në vitin 1968, por ai i refuzoi të gjitha. Sipas artistit Harold Riley, miku i tij i tha se kjo ndodhi sepse nuk donte të ndryshonte mënyrën se si njerëzit e shihnin, jo sepse kishte “diçka kundër sistemit”.
Megjithëse për vite me radhë pati vështirësi të shiste pikturat e tij, sot ato shiten për miliona në ankande. Në vitin 2024, Pasditja e së dielës, një pikturë të cilën ai e përfundoi në të njëjtin vit kur BBC transmetoi filmin e shkurtër, u shit për gati 6.3 milionë paund [7.3 milionë euro]. Piktura e tij e vitit 1953, Duke shkuar në ndeshje, u shit edhe më shtrenjtë, për 7.8 milionë paund [9.1 milionë dollarë] dy vjet më parë.
Në vitin 2000, hapja e Qendrës “Lowry” në Salford konfirmoi statusin e tij si një nga bijtë më të dashur të qytetit. I ndërtuar si pjesë e një projekti për rinovimin e kanalit të vjetër, kompleksi modern i teatrit dhe galerive me vlerë 106 milionë paundë [122 milionë euro], është bërë një nga atraksionet më të vizituara të zonës. Sot, Mançesteri dhe Salfordi kanë shumë pak ngjashmëri me botën që LS Lowry dikur pikturoi, megjithatë poezia që ai gjeti në atë që e quante “beteja e përditshme e jetës” vazhdon të jehojë ende te njerëzit. /Telegrafi/




























