Erozioni i smaltit, era e keqe e gojës dhe aftet nuk janë gjithmonë pasojë e higjienës së dobët – si ndikojnë hormonet në dhëmbë?

Mishrat e ënjtura dhe të dhimbshme, erozioni i smaltit dhe era e pakëndshme e gojës nuk lidhen gjithmonë me mungesën e kujdesit oral. Në shumë raste, shkaku mund të jetë një çekuilibër hormonal
Inflamacioni i mishrave të dhëmbëve (gingiviti) mund të shfaqet gjatë shtatzënisë, sëmundjet periodontale lidhen shpesh me sindromën e vezoreve policistike, ndërsa çrregullimet e gjëndrës tiroide mund të reflektohen drejtpërdrejt në shëndetin e dhëmbëve. Kur problemet orale shfaqen pa arsye të qarta, është e mundur që pas tyre të fshihet një disbalancë hormonale.
Inflamacioni i mishrave të dhëmbëve
Inflamacioni i mishrave mund të jetë shenjë e shtatzënisë, por edhe e çrregullimeve të funksionit të gjëndrës tiroide, shpjegon Mohamed Ali, stomatolog.
“Mishrat bëhen të fryra, të kuqe dhe gjakosen lehtë, edhe kur higjiena orale është e mirë. Nën ndikimin e hormoneve progesteron dhe estrogjen, rritet qarkullimi i gjakut në inde dhe mishrat bëhen më të ndjeshëm ndaj pllakës dentare”, shpjegon dr. Ali.
Çrregullimet e tiroides mund të ngadalësojnë shërimin e indeve, të nxisin inflamacion më të shpeshtë dhe një rikuperim më të ngadaltë të mishrave të dhëmbëve, transmeton Telegrafi.
Goja e thatë (kserostomia)
Nëse gjuha është e ashpër, ngjitëse dhe ka pak pështymë, sidomos kur higjiena orale është e rregullt, shkaku mund të jetë menopauza.
Goja e thatë shfaqet kur niveli i hormoneve bie, nën ndikimin e stresit të zgjatur, disa sëmundjeve apo barnave të caktuara. Niveli i ulët i estrogjenit te gratë ndikon në uljen e prodhimit të pështymës, e cila ka rol kyç në tretjen e ushqimit dhe mbrojtjen e dhëmbëve dhe indeve të buta.
“Kur ka më pak pështymë, rritet rreziku për karies dhe ndjeshmëri të dhëmbëve, sidomos te gratë në menopauzë”, thekson dr. Ali, duke shtuar se nivelet e larta të hormoneve të stresit, si kortizoli, e ulin më tej sekrecionin e pështymës.
Shtrëngimi i nofullës, smalt i çarë dhe dhëmbë të konsumuar
Këto probleme shpesh lidhen me stresin kronik, çrregullimet hormonale dhe pagjumësinë. Gjatë kontrollit stomatologjik mund të vërehen shenja të kërcitjes së dhëmbëve (bruksizmit): çarje të vogla, skaje të rrafshuara dhe smalt i dëmtuar, një pasojë e zakonshme e tensionit afatgjatë.

Era e keqe e gojës
Edhe personat që lajnë rregullisht dhëmbët dhe përdorin fill dentar mund të vuajnë nga era e keqe e gojës. Shpesh, shkaku nuk është oral, por metabolik dhe hormonal, si rezistenca ndaj insulinës apo sindroma e vezoreve policistike, të cilat prishin ekuilibrin e baktereve në zorrë dhe në zgavrën e gojës.
Hipotiroidizmi, për shkak të uljes së hormoneve tiroide, ngadalëson metabolizmin dhe sekrecionin e pështymës, duke krijuar kushte ideale për shumimin e baktereve që prodhojnë erë të pakëndshme.
Nivelet e larta të ketoneve që shfaqen gjatë çrregullimeve të sheqerit në gjak, agjërimit, dietës keto apo te personat me diabet, gjithashtu ndikojnë në erën e frymës. Nëse shfaqen nauze, dhimbje barku dhe fryma ka erë acetoni, është e domosdoshme të kërkohet ndihmë mjekësore.
Erozioni i smaltit dhe aciditeti i shtuar i stomakut
Acidi i stomakut nuk shkakton vetëm urth, por mund të dëmtojë edhe dhëmbët. Sipas dr. Ali, disa ndryshime hormonale nxisin refluksin acid.
“Progesteroni gjatë shtatzënisë dhe hormonet e stresit, si kortizoli, relaksojnë sfinkterin e poshtëm të ezofagut dhe rrisin sekrecionin e acidit gastrik, duke përkeqësuar refluksin te personat e ndjeshëm”, shpjegon ai.
Afte dhe plagë që shërohen ngadalë
Rënia e estrogjenit dobëson barrierën mbrojtëse të mukozës së gojës, duke e bërë atë më të ndjeshme ndaj irritimeve dhe aftave, veçanërisht te gratë në periudhën e peri-menopauzës dhe menopauzës.
Kortizoli i lartë dhe i vazhdueshëm dëmton funksionin e qelizave imune që marrin pjesë në shërimin e plagëve, çka bën që aftet dhe plagët e vogla të shërohen më ngadalë. Edhe sëmundjet autoimune mund ta zgjasin këtë proces.
Çfarë rekomandojnë specialistët?
Pacientët shpesh habiten kur kuptojnë se hormonet ndikojnë në çdo pjesë të trupit – përfshirë gojën dhe dhëmbët. Dr. Ali këshillon që personat me simptoma të përsëritura të mbajnë një ditar të shenjave, të bëjnë analiza të gjakut dhe hormoneve, të vizitojnë rregullisht stomatologun, të rrisin marrjen e lëngjeve në rast të gojës së thatë dhe të përdorin pastë dhëmbësh me fluor për mbrojtjen e smaltit. /Telegrafi/












































