Erling Haaland i frymëzuar nga jetëgjatësia e Messit dhe Ronaldos para Kupës së tij të parë të Botës

Erling Haaland ka shpjeguar se po merr frymëzim nga jetëgjatësia e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, teksa po përgatitet për Kupën e Botës 2026 – turneun e parë të karrierës së tij me Norvegjinë.
Sulmuesi i Manchester Cityt ishte i jashtëzakonshëm në kualifikime, duke e dërguar Norvegjinë në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1998.
Norvegjezët fituan të gjitha tetë ndeshjet në grupin e UEFA-s ku ishte edhe Italia, ndërsa Haaland shënoi 16 gola në këto tetë sfida, duke barazuar rekordin e Robert Lewandowskit për më shumë gola në një edicion kualifikues të Kupës së Botës në zonën e UEFA-s.
Në fazën e grupeve në ShBA, Norvegjia do të përballet me Francën, Senegalin dhe fituesin e plejofit ndër-konfederativ, me ndeshjet që do të luhen në Foxborough dhe New Jersey. Nëse Norvegjia avancon, Haaland mund të sfidojë Messin ose Ronaldon – të dy të gatshëm për pjesëmarrjen e tyre të gjashtë në një Botëror.

I pyetur nga ESPN Brasil nëse frymëzohet nga arritjet dhe qëndrueshmëria e Messit dhe Ronaldos, Haaland tha: “Sigurisht”.
“Mendoj se për çdo futbollist në këtë planet, si Cristiano ashtu edhe Messi janë shembull se çfarë duhet të bësh dhe si duhet të bësh për të qenë në gjendje të performosh në nivelin më të lartë për 15 vjet në ligat më të mëdha.
“Ata janë frymëzues. Cristiano ndoshta na ka treguar pak më shumë për gjërat që ka bërë. Shikoni se si kujdeset për trupin e tij!
“Kjo është e jashtëzakonshme. Ai është 40 vjeç, është e pabesueshme të mund të luash ende. E gjithë respekti për të që është në gjendje të bëjë këtë. Nuk është e lehtë”.
Para shortit të fazës së grupeve, superkompjuteri i Opta-s e kishte renditur Norvegjinë e nëntën favorite për ta fituar turneun, me 2.3 për qind gjasa. Argjentina e Messit renditej e katërta me 8.7 për qind, ndërsa Portugalia e Ronaldos e gjashta me 6.6 për qind.
Duke kujtuar festën e Norvegjisë pas sigurisë së kualifikimit, Haaland shtoi: “Nuk më pëlqejnë birrat, por unë festova!
“Ishte vërtet speciale të kualifikoheshim më në fund në Kupën e Botës, për herë të parë pas 28 vitesh.
“Nuk kam jetuar asnjëherë një Botëror me Norvegjinë. Tani më në fund do ta përjetoj. Është një moment special. Do të jetë fantastike.”
Norvegjia e nis Grupin I më 16 qershor kundër njërit prej Bolivisë, Surinamit ose Irakut, më pas ndaj Senegalit më 22 qershor, për t’u mbyllur me duelin kundër Francës më 26 qershor – ku do të jetë përballja me Kylian Mbappe./Telegrafi



















































