Bashkia e Durrësit ka paralajmëruar qytetarët se pasditen e sotme priten erëra të forta të cilat do të zgjasin deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat bashkia u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal, duke ndjekur njoftimet zyrtare.


“Sipas parashikimeve meteorologjike, qyteti ynë pritet të përballet me erëra të forta.

Duke filluar nga ora 16:00 e ditës së sotme, era nga drejtimi jugor do të intensifikohet, duke arritur shpejtësi deri në 25 m/sek, situatë që do të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal. Ju lutemi ndiqni njoftimet zyrtare për sigurinë tuaj dhe të familjarëve”, njofton Bashkia e Durrësit, raporton A2 CNN.

Sipas Bashkisë së qytetit bregdetar, strukturat do të jenë në gatishmëri të plotë për çdo problematikë që mund të paraqitet.