LAJMI I FUNDIT:

Erdogan: Uber nuk ekziston më në Turqi

Erdogan: Uber nuk ekziston më në Turqi

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, tha se shërbimi përmes aplikacionit Uber ka përfunduar në Turqi, pas presionit nga shoferët e taksive të Stambollit.

Deklarata e Erdoganit erdhi pas njoftimit për rregullat e reja të vendosura gjatë javëve të fundit, të cilat e bënin më të vështirë regjistrimin e shoferëve me Uber. Po ashtu, masat parashikonin edhe ndalim të shoferëve deri në dy vjet në rast shkeljesh.


“Uber nuk ekziston më. Ne kemi sistemin tonë taksi. Nga vjen Uber? Përdoret në Evropë, por nuk më intereson. Ne do të vendosim vetë”, u shpreh Erdogan në një fjalim të mbajtur të premten në Stamboll, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, pas njoftimit për ndryshimet e licencimit të transportit, Uber u shpreh se dëshironte të punonte me të gjitha pakët për të përmirësuar transportin si dhe të ishte një partner i vërtetë në Turqi për një kohë të gjatë.

Pak kohë më parë, shoferët e taksive të Stambollit dërguan kompaninë Uber në gjykatë duke e akuzuar për pengimin e biznesit të tyre dhe ushtrim aktiviteti në mënyrë të paligjshme.

Rreth 17,400 taksi veprojnë në Stamboll dhe që me hyrjen e Uber në vend në vitin 2014, tensionet janë rritur ndjeshëm. /Telegrafi/