LAJMI I FUNDIT:

Epitafi i qëndisur me porosi të Gjergj Arianitit

Epitafi i qëndisur me porosi të Gjergj Arianitit

Daton nga viti 1373. Emërtimi “Epitafi i Gllavenicës” vjen nga studiuesi Theofan Popa, duke u mbështetur në titullin kishtar që kishte peshkopi Kalist i Gllavenicës dhe i Beratit.

Gjatësia e epitafit është 212 centimetra, aq sa gjatësia e një varri të zakonshëm, ndërsa gjerësia 114 centimetra. Epitafi është qëndisur në një pëlhurë në formë katërkëndëshe, me një kornizë me gjerësi rreth 14 centimetra.

Korniza është e stolisur me kryqe, të vendosura dy e nga dy në vijë paralele. Në katër qoshet e epitafit janë ungjillorët. Brenda kornizës është kryqi emblematik i peshkopit të Gllavenicës, Kalistit, që është ktitori i epitafit.


Figura qendrore e epitafit është Krishti i shtrirë në çarçaf. Epitafi është qëndisur në mëndafsh të butë me fije argjendi të lara me ar nga murgu Savia, me porosi të Gjergj Arianitit.

Epitafi i përkiste kishës së Gllavenicës (Ballshit të sotëm). Historia e udhëtimit të tij zë fill që kur u qëndis nga dora e murgut Savia më 1373 për kishën e Gllavenicës. Vite më vonë përfundoi në qilarin e një shtëpie në Ballsh, më pas në katedralen “Fjetja e Shën Mërisë” në kalanë e Beratit dhe në vitin 1981 në stendat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. /atsh/