Mesfushori i Chelseat, Enzo Fernandez, ka zbuluar se një nga ambiciet më të mëdha të tij personale në futboll është që një ditë të trashëgojë shiritin e kapitenit te Kombëtarja e Argjentinës, pas periudhës së Lionel Messit.

Në një deklaratë për “GiveMeSport”, Fernandez theksoi se kjo ëndërr ka qenë gjithmonë pjesë e objektivave të tij, por vendimi i takon stafit teknik.


“Në nivel personal, sigurisht që ëndërroj të jem kapiten i Argjentinës, por ai vendim nuk varet nga unë”.

Ai shtoi se përzgjedhja e kapitenit është përgjegjësi ekskluzive e trajnerëve dhe se ai është i gatshëm të presë momentin e duhur.

“Është në dorën e stafit teknik. Natyrisht që ëndërroj të jem kapiten i Argjentinës. Nuk e di kur mund të ndodhë. Koha do ta tregojë dhe vendimin e merr stafi teknik. Pa dyshim është një nga ëndrrat e mia dhe do të ishte nder i madh ta mbaj shiritin”.

Fernandez tashmë ka mbajtur shiritin e kapitenit te Chelsea në disa ndeshje, gjë që tregon se ai e sheh veten si një lider brenda skuadrës.

Megjithatë, në kampin e Argjentinës nuk mungon konkurrenca. Lojtarë të rëndësishëm si Cristian Romero dhe Emiliano Martinez shihen gjithashtu si kandidatë seriozë për të pasuar Messin në këtë rol./Telegrafi

telegrafi sport app