Enver Hoti kalon nga Nisma në AAK dhe kandidon për kryetar të Komunës së Malishevës

Enver Hoti ish-anëtari i Nismës Socialdemokrate ka aderuar në AAK.
Kështu ka njoftuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili edhe i ka uruar mirëseardhje Hotit, transmeton Telegrafi.
"Mirë se vjen në Aleancë, Enver Hoti! I njohur për përkushtimin ndaj vendit dhe vlerat e tij atdhetare, Enver Hoti i përket brezit të veprimtarëve të hershëm të angazhuar në çështjet kombëtare. Me një përvojë të pasur institucionale, ai ka shërbyer me profesionalizëm e integritet në çdo përgjegjësi që ka bartur", ka shkruar Haradinaj.
Ai gjithashtu ka njoftuar se Hoti do të jetë kandidat i AAK-së për kryetar të Malishevës.
"Aderimi i tij në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është një vlerë e shtuar për vizionin tonë politik dhe përkushtimin ndaj qytetarëve. Enver Hoti gjithashtu do të jetë kandidati ynë për kryetar të Komunës së Malishevës. Me përvojën, vendosmërinë dhe besimin në vlerat e Aleancës, ai përfaqëson më së miri frymën tonë, për një qeverisje të drejtë dhe transparente", ka theksuar ai.
Ai ka shtuar "Urime Enver! Paçim sukses dhe fitore të përbashkët në shërbim të Malishevës dhe qytetarëve të saj".



















































