Enes Metaj drejt hapit të madh: Prova te FC Basel për talentin 17-vjeçar të Rilindjes

17-vjeçari kosovar, Enes Metaj po kryen prova te gjiganti zviceran FC Basel, pas performancave mbresëlënëse dhe punës së palodhur me trajnerë elitarë.
Talenti kosovar i FC Rilindja, 17-vjeçari Enes Metaj, këto ditë po qëndron në prova te gjiganti i futbollit zviceran, FC Basel. Ashtu siç kishte paralajmëruar më herët portali Telegrafi për talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe interesimin e disa klubeve evropiane, duket se Metaj ka rënë në radarin e njërit prej klubeve me më shumë përvojë në Zvicër dhe në arenën ndërkombëtare - FC Basel.

Deri më tani, Enes Metaj ka treguar cilësi të një mesfushori inteligjent dhe tejet të talentuar në fushë. Ai është ftuar dy herë në radhët e Kombëtares U18 të Kosovës, ku ka dëshmuar se është një futbollist me të ardhme premtuese. Pas paraqitjeve të shkëlqyera gjatë sezonit me ekipin e KF Rilindja në grupmoshën U19, si dhe disa paraqitjeve me ekipin senior, Metaj jo vetëm që ka spikatur me cilësitë e tij teknike, por edhe me inteligjencën dhe karakterin e fortë sportiv, transmeton Telegrafi.

Përparimi i tij nuk është i rastësishëm. Enesi ka punuar rregullisht me ushtrime të specializuara, në të cilat kanë qenë të përfshirë trajnerë me përvojë të madhe si në aspektin teknik ashtu edhe në atë fizik. Ndër ta: trajneri kondicional prof. dr. Enver Tahiraj, i cili me një punë dhe përkushtim profesional është më meritori; ish-futbollisti i njohur teknik Isuf Sejdiu; dhe trajneri i mirënjohur teknik, Hivzi Ahmeti.

Kur shumëkush nuk besonte ende në potencialin e tij të plotë, Enesi nuk u dorëzua në asnjë moment. Në momentet vendimtare ai vendosi të ndryshojë klub, duke gjetur te FC Rilindja mbështetjen dhe vlerësimin që i duhej për të shpërthyer si talent.

Tani koha është në duart e tij. Me talentin, disiplinën dhe përkushtimin që ka treguar, e ardhmja duket se po i hap dyert drejt një karriere të madhe. Sakrifica dhe puna e tij e palodhur po shpërblehen, dhe provat te FC Basel mund të jenë vetëm fillimi i rrugës së tij drejt majave të futbollit elitar evropian.

/Telegrafi/


















































