LAJMI I FUNDIT:

Energica prezanton motoçikletën e re elektrike Experia Green Tourer

Energica prezanton motoçikletën e re elektrike Experia Green Tourer

Kompania italiane Energica e specializuar për veturat sportive, ka prezantuar motoçikletën e re elektrike të quajtur Experia Green Tourer.

Energica e prodhuar në Modena, ka “zemër italiane”. Aktualisht në ofertë ka një sërë motoçikleta sportive elektrike përfshirë modelin Eva EsseEsse9, Eva Ribelle dhe Ego, transmeton Telegrafi.


Experia Green Tourer, sjell një dizajn plotësisht të ri në motorin e ri të zhvilluar, si dhe dizajnin e ri të shasisë dhe kornizës. Gjithçka është ideuar që të ketë peshë më të vogël.

Motoçikleta është e pajisur me bateri me kapacitet prej 22.5 kWh, që është më e madhe në raport me bateritë e tjera të motoçikletave elektrike.

Kjo bateri i mundëson shoferit që me vetëm një mbushje të përshkoj 420 kilometra. Mbushja e baterisë mund të realizohet përmes mbushësit të shpejtë DC prej 24 kW, ku bateria nga 0-80 për qind të kapacitetit mbushet për vetëm 40 minuta.

Experia ka 100 kuaj-fuqi, që janë të mjaftueshme që motoçikleta të arrijë shpejtësinë maksimale prej 180 kilometra në orë. /Telegrafi/