LAJMI I FUNDIT:

Në garë për çmimin “Kadare”…

Në garë për çmimin “Kadare”…

Emra të njohur të letrave shqipe, por dhe autorë të rinj do të jenë këtë vit në garë për çmimin më të madh që akordohet për letrat shqipe “Kadare”, që jepet nga Instituti Evropian “Pashko”, nën mbështetjen e Universitetit Evropian të Tiranës. Teksa ka mbetur vetëm një javë nga mbyllja e afatit të dorëzimit të dorëshkrimeve (10 maj), Alda Bardhyli – koordinatorja e këtij konkursi – shprehet se interesi i autorëve për të qenë pjesëmarrës në këtë ngjarje ka qenë i madh.

“Ajo çfarë spikat në edicionin e katër të këtij konkursi është rritja e besueshmërisë që ky konkurs ka në botën e letrave, gjë që shihet nga numri i madh i dorëshkrimeve që këtë vit kanë ardhur në adresën e këtij çmimi. Në një kohë kur në vend institucionet që merren me certifikimin e vlerave – siç janë konkurset letrare – janë të pakta në numër, çmimi ‘Kadare’ vjen si një hapësirë ku shkrimtarët kërkojnë të certifikojnë veprat e tyre”, thotë Bardhyli.


Sipas saj, autorët e rinj dominojnë deri tani në numër në këtë konkurs, por vihet re dhe një shtim të autorëve të njohur të letërsisë shqipe që kanë sjellë dorëshkrime.

“Më vjen mirë të shoh një rritje të numrit të autorëve të rinj që kanë sjellë dorëshkrimet në këtë konkurs, me vepra ku shihet një stil i konsoliduar, që premtojnë një vazhdimësi në traditën tonë letrare”, thotë Bardhyli.

Harta e pjesëmarrjes në këtë konkurs është nga të gjithë hapësirat shqiptare. Nuk mungojnë dhe autorët që jetojnë jashtë Shqipërisë, si dhe autorë nga Kosova dhe Maqedonia.

“Konkurset letrare janë dhe një formë e mirë për të parë nivelin e një letërsie. Ndërsa prej vitesh kritika flet për një ikje të autorëve nga tregimi duke u fokusuar më shumë tek proza e gjatë siç është romani apo novelat, ky konkurs na pohon të kundërtën. Janë disa autorë që kanë zgjedhur të konkurrojnë me vëllime me tregime, duke treguar e tregimi shqip do vijojë të ndërtohet nga emra të tjerë që do spikasin në rrugëtimin e tyre në letërsi”, shprehet ajo.

Ndërkohë, juria e kryesuar nga Kim Mehmeti ka nisur punën për të lexuar veprat pjesëmarrëse. Së shpejti do të mblidhet juria (Genciana Abazi, Ledia Dushi, Agim Baçi dhe Eni Vasili) për të përcaktuar disa nga veprat pretendente për çmimin e madh, që do të jepet gjatë Ditëve Letrare të Razmës në fund të këtij muaji.

“Ky konkurs i rëndësishëm për letërsinë shqipe kulmon me Ditët Letrare të Razmës (25-27 maj), një aktivitet që bën bashkë shkrimtarë, përkthyes, kritikë, të cilët këtë vit do t’i bashkohen një konference shkencore me titull ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu mes historisë dhe letërsisë’, një temë e zgjedhur me rastin e Vitit të Skënderbeut, shpallur nga qeveria shqiptare. Kritika dhe studimet shqipe nuk e kanë shtjelluar ende dimensionin letrar që kjo figurë e historisë sonë ka pasur në librat e shumë shkrimtarëve të huaj, që kanë gjetur tek ai shpesh personazhin më interesant për veprat e tyre”, thotë Bardhyli.

Çmimi letrar “Kadare” është një prej çmimeve më të mëdha letrare që ndahet çdo vit për një autor shqiptar. Çmimi ka një vlerë prej 10 mijë euro dhe vepra fituese botohet nga Mapo Edition. Ky është edicioni i katërt i këtij çmimi, i cili është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në hapësirën shqiptare. Vjet me këtë çmim u nderua shkrimtari Musa Ramadani, ndërsa më parë janë vlerësuar autorët Shkëlqim Çela dhe Rudolf Marku. /mapo/