Elvis Rexhbecaj me paraqitje pozitive, Augsburgu ia shkakton Bayern Munichut humbjen e parë në Bundesliga

Augsburgu ka shkaktuar një surprizë të madhe në Bundesliga, duke triumfuar me rezultat 2-1 ndaj Bayern Munichut në Allianz Arena, fitore që i shkaktoi bavarezëve humbjen e parë në kampionat këtë sezon.
Që në minutat e para u vendos qartë skenari i ndeshjes, me Bayernin dominues në sulm dhe Augsburgun të përqendruar në mbrojtje. Luis Díaz, Lennart Karl dhe Michael Olise ushtruan presion të vazhdueshëm mbi prapavijën mike, por skema 5-4-1 e Augsburgut funksionoi në mënyrë perfekte, duke i mbajtur vendasit larg portës, pavarësisht posedimit 74 për qind në pjesën e parë.
Goli i epërsisë për Bayernin erdhi në minutën e 23-të, kur Olise ekzekutoi një goditje këndi dhe Hiroki Ito u ngrit më lart se të gjithë për të shënuar me kokë. Megjithatë, para pushimit, edhe Augsburg pati momentet e veta, por Han-Noah Massengo nuk ishte i saktë, ndërsa Robin Fellhauer goditi traversën me goditjen e fundit të pjesës së parë.
Në fillimin e pjesës së dytë, një gabim i Jonas Urbig pothuajse i kushtoi Bayern-it, por Anton Kade nuk reagoi në kohë.
Dy raste të tjera për mysafirët e nervozuan trajnerin Vincent Kompany, ndërsa me afrimin e minutës së 60-të, liderët e kampionatit po shfaqnin mungesë të theksuar idesh në sulm ndaj një skuadre që deri tani kishte vetëm katër fitore dhe 20 gola të shënuar në sezon.
Elvis Rexhbeçaj humbi një rast të artë pasi Karl rrëshqiti me topin në zonën e vet, duke bërë që Augsburg të dukej gjithnjë e më i rrezikshëm.
Presioni i mysafirëve u rrit, me Rexhbeçajn dhe Alexis Claude-Maurice që testuan Urbigun, ndërsa ky i fundit u detyrua të intervenonte edhe nga një goditje dënimi. Nga këndi që pasoi, Urbig doli keq dhe topi përfundoi në rrjetë pasi u devijua nga koka e Arthur Chaves.
Kulmi i befasimit erdhi në minutën e 80-të, kur, pavarësisht pranisë së gjashtë mbrojtësve në zonë, askush nga Bayern nuk e ndoqi vrapimin e vonshëm të Massengos, i cili realizoi qetësisht për të heshtur tribunat.
Edhe pse Augsburg vazhdoi të sulmonte, ndërsa Bayern hodhi të gjithë lojtarët përpara në minutat e fundit, gjithçka ishte e kotë për skuadrën e Kompanyt.
Humbja nuk ndryshon shumë situatën e Bayernit në renditje, pasi ata mbeten 12 pikë përpara ndjekësve, ndërsa Augsburgu, falë kësaj fitoreje të madhe, është larguar gjashtë pikë nga zona e rënies.




















































