Elon Musk e konfirmon, zona ku operon SpaceX në Teksas tani është zyrtarisht një qytet

Zona ku operon kompania SpaceX e Elon Musk në skajin jugor të Teksasit do të bëhet zyrtarisht një qytet i quajtur Starbase.
Banorët miratuan përfshirjen e një copë toke si bashki të re në zgjedhjet të shtunën.
Shumica e 283 votuesve me të drejtë vote janë punonjës të SpaceX.
Rezultatet e publikuara në internet nga Cameron County tregojnë 212 vota pro kundrejt gjashtë kundër.
Miliarderi Musk tha se "Starbase, Teksas tani është një qytet i vërtetë”, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se qeveria e qytetit do të përbëhet nga një kryetar bashkie dhe dy komisionerë të cilët do të kenë pushtet mbi planifikimin, taksat dhe çështje të tjera lokale.
Por disa banorë aty pranë e kanë kundërshtuar masën dhe kanë akuzuar kompaninë për dëmtim të mjedisit lokal.
Kryetari i parë i Starbase do të jetë Bobby Peden, nënkryetar i SpaceX.
Raportohet se Starbase do të jetë një qytet i tipit C - një kategori komune me më pak se 5,000 njerëz dhe një përcaktim që ndër të tjera do t'i lejojë zyrtarët të vendosin një taksë pronësie deri në 1.5%, sipas Lidhjes Komunale të Teksasit. /Telegrafi/


































