I rehatshëm, i ngrohtë dhe elegant, kompleti bezhë i thurur ka pushtuar botën e modës falë shumëanshmërisë së tij. Ai duket po aq bukur në zyrë, në shtëpi apo në një kafe me miqtë

Ndryshimi mes veshjeve që mbajmë në shtëpi dhe atyre që përdorim për punë, takime apo shoqërim të lirë, është – rehatshmëria. Pas një dite të lodhshme, gjithçka që duam është të veshim diçka të butë dhe të ngrohtë. Dhe ekziston një opsion që i përmbush të gjitha këto kritere: kompleti i thurur, me pantallona me prerje të gjerë dhe pjesën e sipërme komode, si bluzë e lirshme apo pulovër “oversized”.


Këshilla është të zgjidhni një ngjyrë neutrale, si bezhë, e zezë, kafe apo ngjyrë karamel. Por më shumëfunksionalja ndër to është padyshim nuanca bezhë. Së pari, ajo funksionon në mënyrë të përkryer si veshje shtëpie, veçanërisht kur prisni miq. Së dyti, duket e sofistikuar dhe mjaft formale për ta përdorur edhe si alternativë ndaj një kostumi klasik apo një kombinimi zyrtar me bluzë elegante.

Aksesorët luajnë rol kyç në mënyrën si e përshtatni pamjen. Nëse kompleti i thurur kombinohet me çizme prej antilope, bizhuteri të arta me efekt, dhe çantë me karakter, pamja bëhet ideale për çdo rast, nga mëngjesi deri në mbrëmje, transmeton Telegrafi.

Si të zgjidhni kompletin e duhur për çdo situatë?

Kujdesuni për prerjen e pantallonave. Ato nuk duhet të duken sportive apo si pantallona trajnimi. Zgjedhja më e mirë janë pantallonat palazzo, me prerje të gjerë, që mund të kombinohen lehtë me pulovër ose këmishë.

Zgjidhni pjesën e sipërme me kujdes. Materialet si leshi ose kashmiri, pulovrat e thurura, bluzat sportive me kapuç apo kardiganët elegantë janë opsionet më të përshtatshme.

Zgjidhja e këpucëve varet nga rasti. Për një pamje pune elegante, zgjidhni çizme të shkurtra me taka të ulëta apo mokasina klasike. Nëse bëhet fjalë për dalje të lirshme, si kafe me miqtë apo shëtitje në qytet, atletet retro komode janë perfekte.

Kombinimi i duhur i komoditetit, stilit dhe ngjyrave neutrale e bën kompletin bezhë të thurur një pjesë bazë të gardërobës moderne që përshtatet në çdo moment të ditës.

/Telegrafi/