Janë bërë publike pamjet e atentatit të ndodhur në Rinas të mërkurën, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe i plagosur miku i tij, Mustafa Sheqeri (Shaljani).

Në pamje shihet sesi ekzekutori i afrohet makinës ku po udhëtonin Dani dhe Sheqeri dhe hap zjarr ndaj tyre, ndërsa më pas dëgjohet edhe një breshëri automatiku drejt makinës.


- YouTube www.youtube.com

Nga pamjet shihet edhe se si autorët largohen me makinën tip Toyota pasi kanë kryer atentatin, në drejtim të Fushë-Krujës. Gjatë natës, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës kanë kryer një operacion të madh kërkimi në atë zonë.

Sipas burimeve, 5 grupe të FNSH kanë qëndruar nga ora 23:00 deri në orën 3:00 të mëngjesit në zonë, duke kryer kontrolle në lokale e banesa, si dhe duke ndaluar automjete të shumta për kontrolle.

A2 CNN mëson gjithashtu se janë shoqëruar disa persona.

Ndërkohë, mësohet se Mustafa Sheqeri, i cili ishte punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, vijon të mbetet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.

A2 CNN mëson se Sheqeri, i cili ishte drejtues i automjetit tip “Mercedes Benz” me të cilin udhëtonte viktima Gilmando Dani, është i intubuar dhe ndodhet ne reanimacion. (A2 Televizion)