Eksplodimi i mjetit të pashpërthyer në Stagovë shtyhet për të premten

Policia e Kosovës ka njoftuar për shtyrjen e operacionit të eksplodimit të një mjeti të pashpërthyer që ndodhet në fshatin Stagovë të Kaçanikut, konkretisht në lagjen “Teneqja”.
Ky operacion, i cili fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej më 30 prill 2025, do të realizohet më 2 maj 2025, nga ora 09:00 deri në 13:00, nga Njësia e Deminimit të KFOR-it.
Autoritetet kanë përcaktuar një rreze sigurie prej 1000 metrash nga vendi ku ndodhet mjeti shpërthyes, brenda së cilës ndalohet rreptësisht qëndrimi i njerëzve.
Po ashtu, është rekomanduar largimi i kafshëve dhe mjeteve bujqësore nga zona.
Policia u bën thirrje banorëve të lagjes “Teneqja” dhe të zonës së kodrës në Stagovë që:
Të mbajnë dritaret e hapura, për të shmangur dëmet e mundshme nga vala e shpërthimit.
Të largojnë automjetet në hapësira të sigurta, si garazhe apo prapa shtëpive.
Të braktisin përkohësisht banesat përpara fillimit të operacionit dhe të mos kthehen deri në përfundim të tij.
Në vendngjarje do të jenë të pranishme njësitet e Zjarrfikësve dhe Emergjencës, ndërsa Policia do të patrullojë zonën për të siguruar respektimin e masave të sigurisë dhe për të njoftuar banorët në kohë reale.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe mirëkuptim nga ana e qytetarëve, duke theksuar se respektimi i udhëzimeve është jetik për sigurinë e komunitetit.
Njoftimi për përfundimin e operacionit do të bëhet menjëherë pas përmbylljes së tij./Telegrafi/

















































