LAJMI I FUNDIT:

Ekspertiza për Astrit Deharin nuk kthehet as pas një viti nga Zvicra

Ekspertiza për Astrit Deharin nuk kthehet as pas një viti nga Zvicra

Janë bërë një vit nga atëherë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore e Lozanës nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Më 2 Qershor të 2018-tës ishte konfirmuar se ekspertiza që do zbardhte më shumë detaje rreth vdekjes së Astrit Deharit do të behej në Zvicrës.

E tash kur janë bërë një vit nga atëherë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore e Lozanës nuk ka kthyer asnjë përgjigje.


Sipas avokatit të familjes Dehari, Tomë Gashi, gjithçka është në duart e Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorit të Shtetit, dhe se kthimi i kësaj ekspertize duket të behet sa më shpejtë që e vërteta të zbardhet.

E këto dy institucione përkundër insistimit disa ditor nuk kanë treguar asgjë në lidhje me ekspertizën e bërë në Zvicër dhe nëse kanë komunikuar me autoritetet atje.

Kete i është dashur ta bëjë vetë avokati Tomë Gashi.

Megjithatë ai siç e ka përsëritur shpesh, ka bindjet e tij për rrethanat e vdekjes së ish aktivistit të Vetëvendosjes.

Ndërkohë, prokurori i rastit Metush Biraj, për T7 ka bërë të ditur se rezultatet janë duke i pritur.

Edhe për Birajn kjo stërzgjatje e këtij procesi është shqetësuese.

Astrit Dehari ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, u arrestua më 30 gusht të vitit 2016, i dyshuar se bashkë me aktivistë të tjerë sulmuan Kuvendin e Kosovës.

Ai vdiq më 5 nëntor të po të njëjtit vit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së Astrit Deharit më 18 nëntor 2016 doli në përfundim se Dehari ka bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit.

Në tetorin e vitit të kaluar Qeveria e Kosovës me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri ka ndarë mjetet financiare në shumën prej 50 mijë eurove për ekspertizë shtesë jashtë vendit në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit.