Mos ngrini zërin, përdorni frazën e duhur dhe ndryshoni tonin - këto truke ju ndihmojnë të ruani qetësinë dhe kontrollin

Ndonjëherë është e vështirë të qëndrojmë të qetë kur përballemi me zemërimin e dikujt ose kur dikush na bërtet në fytyrë. Në momente emocionesh intensive, reagimi natyral shpesh është mbrojtës ose impulsiv, gjë që e vështirëson arsyetimin racional dhe kontrollin mbi veprimet tona. Të bërtiturat e një personi tjetër mund të shkaktojnë ndjenjë kërcënimi, frustrimi apo pasigurie, çka e bën edhe më të vështirë ruajtjen e qetësisë.


Fatmirësisht, një avokat ka shpjeguar se si të reagojmë më së miri kur dikush fillon të na bërtasë dhe ka ndarë disa këshilla për të shmangur konfliktet.

Këshillat i ka ndarë në rrjete sociale Jefferson Fisher, avokat i specializuar në çështje gjyqësore, ekspert komunikimi dhe moderator i emisionit The Jefferson Fisher Podcast. Ai është gjithashtu autor libri dhe shpesh publikon këshilla në TikTok, ku numëron 1,4 milionë ndjekës, shkruan Mirror, përcjell Telegrafi.

“Para së gjithash, në vend që të ngrini zërin dhe të bërtisni diçka si ‘mos më bërtit’, thoni me qetësi: ‘unë nuk përgjigjem në këtë nivel zëri’. Kështu i bëni me dije se kanë kaluar kufirin tuaj dhe se nuk e lejoni që të flitet me ju në atë mënyrë,” shpjegon Fisher.

Si këshillë të dytë, ai sugjeron që këtë ta thoni me një ton më të ulët se ai i bisedës së zakonshme dhe paksa të përmbajtur. “Kjo ju bën të tingëlloni më të qetë. Ndërsa ata, për t’u përshtatur me ju, automatikisht e ulin zërin e tyre. Së treti: sa më ngadalë të flisni, aq më të sigurt do të tingëlloni. Një truk është që të shtoni pauza rreth foljeve,” këshillon avokati.


Videoja është shikuar qindra mijëra herë dhe ka mbledhur mijëra pëlqime. Komentet ishin të shumta:

“Këto këshilla janë shumë të dobishme. Ndihem mirë që qëndroj i matur dhe e ruaj kontrollin. Faleminderit që ndan mençurinë tënde.”
“Kjo funksionon. E kam mësuar nga drejtori mjekësor i urgjencës ku punoja. Do të qetësonte edhe pacientin apo specialistin më të vështirë.”
“Unë flas me pëshpëritje. Kjo i qetëson njerëzit menjëherë.”
“Më pëlqen ta ul volumin e zërit. Shumicën e rasteve funksionon.”

/Telegrafi/