Në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga FAO me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Suedia, është publikuar episodi i dytë i serisë së podcasteve “Duaj e Ruaj Pyjet”.

Eksperti i pylltarisë në programin e FAO-s, Ergin Hajredini, ka thënë se Kosova duhet të nisë procesin e certifikimit të pyjeve, nëse synon të eksportojë produkte të drurit drejt tregjeve të Bashkimit Evropian. Sipas tij, BE-ja ka kërkesa strikte dhe produktet që eksportohen duhet të kenë lëndë të parë të certifikuar, gjë që aktualisht pyjet e Kosovës nuk e përmbushin.


“Është kërkesë e Bashkimit Evropian që nuk mund të eksportosh produkte pa lëndë të parë të certifikuar. Druri është baza dhe pyjet tona ende nuk e kanë këtë status,” deklaroi Hajredini.

Për këtë arsye, shumë kompani vendore detyrohen të furnizohen me dru nga vende fqinje si Bosnja, e cila ka pothuajse të gjithë pyjet e certifikuar.

- YouTube youtu.be

Megjithatë, ai thekson se zhvillimi i metodologjisë së re të planeve të menaxhimit shumëqëllimor, e realizuar së fundi me mbështetjen e FAO-s, krijon për herë të parë bazën që Kosova ta nisë këtë proces.

“Metodologjia e re dhe qasja e re e menaxhimit ofrojnë mundësinë që Kosova të fillojë certifikimin. Certifikata garanton se pyjet menaxhohen si ekosistem i plotë, jo vetëm si burim druri,” tha ai.

Foto: Ridvan Slivova

Sipas Hajredinit, certifikimi siguron që pyjet nuk janë dëmtuar nga prerjet ilegale, respektohen vlerat e biodiversitetit dhe menaxhimi bëhet në harmoni me ekosistemin.

Ky podcast është pjesë e serisë së podcasteve të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO).Video është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Përmbajtja e saj nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe Suedisë./Telegrafi/.