LAJMI I FUNDIT:

Ekskluzive: Haradinaj po bisedon me LDK dhe GDP, përjashton PDK-në (Video)

Ekskluzive: Haradinaj po bisedon me LDK dhe GDP, përjashton PDK-në (Video)

Dalja e Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës duket se nuk e ka lënë pa kurrfarë veprimi kryeministrin aktual, Ramush Haradinaj.

Burime të afërta me kryeministrin i kanë shpjeguar RTV Dukagjinit se ekziston një skenar, të cilin Haradinaj po e planifikon, sidomos pas veprimeve të djeshme dhe daljes së Listës Serbe nga Qeveria, si rezultat i arrestimit të Marko Gjuriqit, një veprim krejtësisht i menaxhuar nga presidenti Thaçi dhe AKR-ja, e për të cilin Haradinaj ka qenë fare i pakoordinuar lidhur me operacionin.


Të njëjtat burime kanë shpjeguar se Haradinaj ka filluar që të komunikojë intensivisht me Shpend Ahmetin dhe Visar Ymerin, përfaqësues të Grupit të Deputetëve të Pavarur dhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, përkatësisht Avdullah Hotin dhe Agim Veliun, në mungesë të Isa Mustafës, i  cili po vazhdon shërimin në Gjermani.

Nëpërmjet këtij skenari  Haradinaj dëshiron ndryshim të Qeverisë mes LDK-së AAK-së NISMA. GDP dhe minoriteteve duke përjashtuar kështu PDK-në, Vetëvendosjen dhe AKR-në, raporton RTV Dukagjini.

Në këtë kombinim Nisma dhe AAK i kanë bashkë 17 deputetë, derisa LDK i ka 27. Grupi Deputetëve të Pavarur janë 12,  që gjithë së bashku do të bënin 56 deputetë dhe kësisoj do të mund të bëhej Qeveria vetëm më komunitetet e tjera minoritare dhe deputetët individualë.

Në këtë skenar, Haradinaj do ta linte PDK-së në opozitë dhe kësisoj do t`i hakmerrej për veprimin e njëanshëm të Thaçit, e për të cilin ka qenë mirë informuar Kadri Veseli, i cili poashtu  ka përkrahur këto veprime.

Ndërkohë, sipas Kushtetues së Kosovës, rikonfigurimi i Qeverisë është i mundshëm përmes shkarkimit të ministrave, e që në këtë rast Haradinaj ata që vijnë nga PDK,  Lista Serbe dhe AKR-ja  të zëvendësohen me emra të rinj, në bazë të marrëveshjes qe mund të arrihet me LDK-në dhe Grupin e Pavarur të Deputeteve. /RTV Dukagjini/Telegrafi/