LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia, dikur dhe sot: Flet Nazmi Mustafa…

Ekonomia, dikur dhe sot: Flet Nazmi Mustafa…

Shpesh ndodh që kosovarët të cilët i takojnë moshës së tretë, të flasin me një lloj nostalgjie për sistemin ekonomik të ish-Republikës Sociale Federative të Jugosllavisë (RSFJ). Profesori i ekonomisë, Nazmi Mustafa, në një intervistë për Telegrafin, duke folur për këtë temë, ka theksuar se nuk beson që ekziston nostalgjia në rrafshin e zhvillimeve politike, por kjo kujtesë e një grupmoshe të caktuar lidhet me standardin e jetës dhe me plotësimin e nevojave që i kanë arritur aso kohe shqiptarët e Kosovës.

Blendi Devolli


Profesori Nazmi Mustafa u lind në vitin 1941, ndërsa që nga viti 1967 është angazhuar si pedagog në Fakultetin Ekonomik. Ai ka qenë kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës në vitet 1986-89, ndërsa ka qenë edhe ministër i Tregtisë në Qeverinë e Ante Markoviqit, të fundit në ish-Jugosllavi, që stabilizon valutën, inicion reforma zhvillimi dhe të tregtisë së lirë. Mustafa ishte iniciator i Ligjit për Ndërmarrje Private, ndërsa Qeveria Markoviq, që kishte mbështetje të Washingtonit, ia del ta rrisë standardin jetësor të qytetarëve të ish-Jugosllavisë. Por, jo për një kohë të gjatë, meqë politika e Sllobodan Milosheviqit e shkatërron këtë shtet.

Mustafa sot nuk preferon të thotë se në mesin e kosovarëve ka nostalgji për sistemin ekonomik të ish-RSFJ-së, porse në kuadër të atij shteti kanë ekzistuar disa premisa në aspektin ekonomik, të cilat, sipas tij, për fat të keq nuk janë përvetësuar pas ndarjes nga ky shtet nga ish-republikat e ish-RSFJ-së.

Sa të punësuar kishte dikur Kosova?

“Është logjikë ekonomike që çdo bashkim jep një fuqi dhe çdo copëtim rezulton më dobësim. Ish -Jugosllavia ka pasur një treg (që është quajtur unik) me 21-22 milionë banorë. Pastaj, në kuadër të saj, efektet direkte dhe indirekte (zhvillimi) janë shpërndarë në të gjithë territorin – edhe pse niveli i zhvillimit ekonomik dhe i standardit të jetës së qytetarëve nuk kanë qenë njësoj dhe në të njëjtën shkallë të zhvillimit, në të gjitha pjesët e atij shteti”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, Kosova ka qenë një prej pjesëve më të pazhvilluara të Federatës jugosllave, ndaj shton se mu për këtë “nuk duhet të ketë nostalgji për atë kohë, por të bëhen disa krahasime nga të cilat mund të nxirren disa mësime dhe përfundime”.

nazmi mustafa 02

“Duhet shtruar pyetja se pse nuk është vazhduar më një tempo të tillë të zhvillimit edhe pas ndarjes dhe pavarësimit të ish-republikave të ish-RSFJ-së? Nëse flasim për nivelin e ekonomisë, është vërtetuar më analiza akademike se ka pasur ngjashmëri dhe elemente të njëjta të ekonomisë së ish-Jugosllavisë me ekonominë e tregut që është në vendet e Perëndimit”, ka thënë Mustafa.

Ai mendon se ekonomia e ish-Jugosllavisë nuk ka mundur të funksionojë si ekonomi e tregut, për arsye se nuk ka pasur pronë private; nuk ka pasur konkurrencë në treg në bazë të cilës do të vërtetohej se kush është më i suksesshëm.

“Kemi pasur një pronë që është quajtur shoqërore, një pronë që është quajtur e çdokujt dhe e askujt. Në vitin 1989, kur Serbia e ka shuar autonominë e Kosovës, në ekonominë përpunuese kanë punuar 125 mijë punëtorë. Trepça ka punësuar 23 mijë punëtorë, duke mos i përmendur edhe komplekset tjera që janë quajtur si organizata të përbëra, si: Agrokosova, Industria e Bashkuar e Metaleve etj., të cilat kanë qenë një fuqi ekonomike dhe kanë pasur edhe efekte në prodhim, në furnizim të tregut, jo vetëm kosovar po edhe jashtë Kosovës”, ka theksuar Mustafa.

Pse nuk ka pati kontinuitet të zhvillimit?

Sipas tij, Kosova asokohe ka pasur një ekonomi që e ka ruajtur një bilanc të tregtisë së jashtme (eksport-import) që ka qenë i barazuar në përgjithësi, duke shtuar se “të gjitha këto kanë qenë bazë e një standardi të mirë të qytetarëve”.

“Më një pagë është siguruar shporta e një familje dhe po më të njëjtën pagë qytetarët kanë arritur t’i kalojnë pushimet në Kosovë dhe jashtë saj. Andaj, na ndodh shpeshherë që ata të cilët i takojnë kryesisht moshës së tretë, të pyesin tani se pse Kosova ka mbetur në këtë nivel. Merrini 120 mijë pensionistët e Kosovës dhe shikoni nivelin e pensionit. Ata marrin të ardhura që janë në nivel të ndihmës sociale. Kur t’i analizojmë këto fakte, atëherë mund të themi se ‘nostalgjia’ për ish-sistemin ekonomik jugosllav lidhet me nivelin e pagës dhe standardit. Njerëzit mund të pyesin me të drejtë se pse nuk kemi pasur kontinuitet të këtij zhvillimi”, ka thënë ai.

Sipas tij, Serbia në vitet 1989 -1990 e ka okupuar Kosovën dhe e ka shfrytëzuar si koloni në çdo aspekt, përfshirë edhe aspektin ekonomik.

“Nuk ka pasur zhvillim gjatë kësaj periudhe, mirëpo ajo që ka ndodhur me ekonominë e Kosovës pas vitit 1999, është po ashtu e rëndë, sepse në emër te privatizimit, i cili sipas mendimit tim është kuptuar gabimisht, është vepruar keq – për çka edhe sot po i vuajmë pasojat”, ka theksuar ai.

nazmi mustafa 03

Profesori ka theksuar se qëllimi i privatizimit është që një subjekt të ngritët që të ketë aftësi konkurruese në treg. Duke bërë kështu, ndërmarrjet që janë të suksesshme vazhdojnë të rriten, ndërsa ndërmarrjet e pasuksesshme likuidohen, sepse nuk mund ta gjejnë veten.

“Në Kosovë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Një numër jo i vogël i ndërmarrjeve që kanë qenë të suksesshme me produktet e tyre në tregun e ish-Jugosllavisë (madje edhe në eksport), kanë përfunduar në një shkatërrim, që është mëkat jo vetëm ekonomik po edhe njerëzor, sepse punëtorët që kanë punuar në ato ndërmarrje për një kohë shumë të gjatë kanë mbetur në rrugë”, ka thënë ai.

Nëse gabimet vazhdojnë, Kosovën e presin pasojat edhe më të mëdha!

Sipas profesorit, ligjet e tregut nuk i sjellin parlamentet, por janë si ligjet natyrore, duke shtuar se tregu dikton se çka është e pranueshme e çka jo.

“Ka pasur fabrika në Kosovë të cilat janë shuar, e të cilat mbi 70 për qind të produkteve i kanë eksportuar jashtë ish-Jugosllavisë. Pse nuk ka analizë që do ta arsyetonte apo jo mbylljen e tyre? Duhet të shqetësohemi pse nga një fabrikë në Kosovë ka ndodhur që mbi njëmijë punëtorë të shkojnë në shtëpi. Pasojat e mungesës së zhvillimit ekonomik nuk janë vetëm ekonomike, por janë edhe sociale, e deri te humbja e një perspektive të gjeneratave të reja”, ka theksuar ai.

Mustafa thekson se nuk është ruajtur ajo që ka mundur të ruhet dhe pastaj të inkorporohet në sistem, duke shtuar se “nëse vazhdohet në këtë mënyrë, Kosova mund të ketë një krizë jo vetëm ekonomike, por edhe sociale, e të cilat mund të kenë pasoja që nuk mund të sanohen me decenie”.

“Jemi vonë dhe na mbetet të vendosim që të shkojmë përpara drejt zhvillimit apo të hyjmë në një greminë ekonomike”, ka shtuar ai.

Mustafa, duke folur për dështimin e ekonomisë së ish-Jugosllavisë thekson se sistemin socialist është munduar të mbahet gjallë për rreth ‘70 vite nga ish-Bashkimi Sovjetik, por që në fund ka dështuar ajo përpjekje.

nazmi mustafa 04

Sipas tij, “tregu unik – siç është quajtur tregu i ish-Jugosllavisë – ka qenë pak më liberal dhe ka pasur parime të ekonomisë së tregut, gjithashtu edhe kufizimet si ekonomi e planifikuar të cilat nuk i duron ekonomia e tregut. Nëse e krahasojmë ish-Jugosllavinë në vitet 1980-1990, borxhi i saj i përgjithshëm ka shkuar në 21 miliardë dollarë. Merreni me mend, disa republika që janë krijuar si shtete pas ndarjes së tyre, kanë borxh të jashtëm dhjetë herë më tepër se që ka pasur krejt ish-RSFJ-ja. Një dështim i ish-RSFJ-së nuk ka qenë si pasojë e dështimit të një reforme ekonomike, por ka qenë dështim për mungesë të një reforme juridike dhe politike”, ka theksuar ai.

Dikur Kosova ka shpenzuar aq sa ka qenë kapaciteti i saj!

Mustafa ka sqaruar se si ish-anëtar i Qeverisë (ministër i Tregtisë) së fundit në ish-Jugosllavi, që e ka udhëhequr Ante Markoviq, ka pasur një program – që është quajtur reforma ekonomike – të bazuar në sistemin ekonomik të BE-së.

“Ka qenë një thënie që është përdorur në atë kohë, e ajo është: ‘Lot dhe djers mund të ketë, por gjakderdhje jo’. Kjo ka qenë një moto, një slogan i një reforme të atëhershme ekonomike. Mendimi im është se një sistem i tillë kishte me pasë edhe pakënaqësi të kohëpaskohshme, në fusha të ndryshme, por assesi ai shtet nuk ka pasur kushte të shndërrohet në një shtet problematik në kuptimin e zhvillimit dhe të borxheve, siç ka ndodhur sot me Greqinë”, ka theksuar ai.

Duke tërhequr paralele me Greqinë, profesori thekson se gjendja është e thjesht, por që kërkon analiza të thella, meqë “aty është shpenzuar më tepër se që ka pasur kapacitet shteti në fondin e tij”.

“Së dyti, zyrtarët e këtij shteti i kanë fshehur të dhënat zyrtare në raportet e tyre me BE-në. Ka ardhur një ditë kur një enë e tillë nuk ka mbajtur ujë. Kjo krizë jo vetëm që e ka trazuar Greqinë, por ka sjellë edhe shumë dilema të anëtarëve të BE-së, madje duke shtruar pyetjen se mos lindin më tepër Greqi”, ka thënë ai. “Në aspektin ekonomik, kriza në Greqi nuk do të kishte ndodhur në ish-Jugosllavi, sepse të gjitha pjesët e këtij shteti kanë pasur kapacitet për tu shndërruar në ekonomi të tregut. Paramendoni, Kosova ka pasur aftësi që për borxhin e jashtëm të paguajë nga burimet e veta. Këtu nuk është shpenzuar më tepër se sa që ka qenë kapaciteti i mundshëm i pagesave”, thotë profesori Mustafa. /Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi/

Në trend

Më shumë
DASH për Telegrafin: Të gjitha raportimet janë të rreme - Escobar nuk është shkarkuar, emërohet në një pozitë tjetër sipas rrotacionit

DASH për Telegrafin: Të gjitha raportimet janë të rreme - Escobar nuk është shkarkuar, emërohet në një pozitë tjetër sipas rrotacionit

Lajme
“Para se të hidhej e pa Erdgysin me 18-vjeçaren

“Para se të hidhej e pa Erdgysin me 18-vjeçaren": Zbardhet dëshmia e motrës së Almës

Lajme
Krijoi fustan për Jennifer Lopezin, flet Diana Qerimi: Sot ka qenë një prej emocioneve më të mëdha, e kam admiruar që kur isha e vogël

Krijoi fustan për Jennifer Lopezin, flet Diana Qerimi: Sot ka qenë një prej emocioneve më të mëdha, e kam admiruar që kur isha e vogël

Egzona Shigjeqi
Bernd Leno i bën një premtim të madh tifozëve të Arsenalit para ndeshjes Fulham – Man City

Bernd Leno i bën një premtim të madh tifozëve të Arsenalit para ndeshjes Fulham – Man City

Premier League
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Magazina
Fjolla Morina kthehet sërish me Fisnik Sylën?

Fjolla Morina kthehet sërish me Fisnik Sylën?

Magazina
Kalo në kategori