LAJMI I FUNDIT:

Education Code implementon projektin “Ma kupto heshtjen”, në komunën e Kamenicës

Education Code implementon projektin “Ma kupto heshtjen”, në komunën e Kamenicës

Education Code është duke implementuar projektin “Ma kupto heshtjen” në komunën e Kamenicës.

Në njoftimin e bërë për media nga Education Code thuhet se qëllimi i këtij projekti është ngritja e kapaciteteve, mbështetja dhe promovimi i nevojave dhe kërkesave të personave me aftësi të kufizuara, respektivisht komunitetit të shurdhër në komunën e Kamenicës, qasje më të madhe në komunitet dhe gjithpërfshirjes së këtij grupi të të rinjve në komunitet, transmeton Telegrafi.

“Me datën 6 dhjetor 2019, Education Code, respektivisht drejtoresha e OJQ-së Education Code, Mimoza  Stanovci së bashku me zyrtarët e projektit duke pasur parasysh kërkesat dhe nevojat e komunitetit të të shurdhërve në tërë Kosovën, sa i përket qasjes së tyre shumë të limituar në institucione, mbajti takimi avokues në komunën e Kamenicës në kuadër të projektit “Ma Kupto Heshtjen”. Qëllimi i takimit ishte avokimi i drejtpërdrejtë me kryetarin e komunës, Qëndron Kastrati dhe zyrën për të drejtat e njeriut. Në këtë takim avokues u diskutua në lidhje me projektin “Ma kupto heshtjen”, aktivitetet të cilat janë në implementim, promovimi i kërkesave dhe nevojave, identifikimi dhe informimi për Komunitetin e Shurdhër në komunën e Kamenicës si dhe aktivitetet të cilat do të implementohen së shpejti; edukimi jo-formal përmes dy trajnimeve dhe promovimin e nevojave dhe kërkesave të Komunitetit të shurdhër përgjatë kohëzgjatjes së projektit”, thuhet në njoftim.


Tutje në njoftim thuhet se Stanovci në takimin e mbajtur kërkoi konkretisht mbështetjen nga komuna e Kamenicës për këtë komunitet.

“U dërgua edhe memorandumi i mirëkuptimit ku brenda mundësive dhe dispozitave ligjore të Kosovës në komunën e Kamenicës të punësohet një interpret që njeh gjuhën e shenjave në mënyrë që të mund të komunikojnë me personat e shurdhër që si të gjithë të tjerët kanë nevojë për shërbime të ndryshme publike dhe institucionale me qëllim të gjithpërfshirjes së këtij komuniteti”, vijon njoftimi.

Kurse, kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati si dhe zyrtarët pjesëmarrës të komunës së Kamenicës në takimin avokues, mirëpritën projektin “Ma Kupto Heshtjen”.

Kastrati shprehu interesimin e tij të veçantë për mbështetjen e komunitetit të shurdhër në Komunën e Kamenicës.

Gjithashtu udhëzoi që trajnimet të cilat do të organizohen gjatë muajit dhjetor 2019 dhe janar 2020, ky komunitet do t’i mbajë brenda objektit të kuvendit komunal i cili gjendet në objektit të komunës.

Projekti ‘Ma kupto heshtjen’ zbatohet në kuadër të Programit Rajonal mbi Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor – ReLOaD, i cili financohet nga Bashkimi Evropian, dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në partneritet me Komunën e Kamenicës. /Telegrafi/