Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur të tmerrshëm faktin që ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, Ivan Todosijeviq u dënua me dy vjet burg për shkak se tha se masakra në Reçak ishte e trilluar.

Madje, sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, ai ka thënë se edhe vet e përsërit se “ishte një krim i fabrikuar” dhe pyeti “a do të na dënojnë të gjithëve për këtë?”

“Kjo është e tmerrshme”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Vuçiq ka thënë tutje se, “të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë po e përsëris tani – krim i fabrikuar në Reçak”, duke shtuar se gjithçka u fabrikua nga Walker, të cilin e ka quajtur edhe “mashtrues”.

Ndryshe, ish-ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Ivan Todosijeviq, është dënuar me dy vjet burg, pasi është shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Lidhur me këtë, ai akuzohej për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ish-ministri i MAPL-së dënohet me dy vjet burg për deklaratat e tij fyese për masakrën e Reçakut Ish-ministri i MAPL-së dënohet me dy vjet burg për deklaratat e tij fyese për masakrën e Reçakut

Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur të enjten nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ka raportuar “Betimi për Drejtësi”.

Ivan Teodosijeviq, ka qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila është në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të këtij viti, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxituar dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarja dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës.

Po sipas aktakuzës, me datë 24 mars 2019, në rrugën “Kralj Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, ndër tjerash kishte thënë se “Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë”.

Derisa presidenti serb e quan të trilluar, një ish zyrtar i lartë i Shërbimit të Sigurimit Serb (SDB) dhe ish-zëvendësdrejtor i BIA-s, ditë më parë ka dhënë versionin për masakrën e Reçakut, duke e pranuar se ishin forcat serbe ato që e kryen këtë krim mbi shqiptarët në janar të viti 1999.

Këtë version ia kishte thënë mediumit serb “Kurir” Dragan Markoviq-Markoni, pjesëtar shumëvjeçar i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror serb (SDB) dhe ish-Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Informative e të Sigurisë (BIA).

Markoviq kishte thënë se “Njësia e Operacioneve Speciale Serbe (JSO) duhej ta mbronte popullsinë serbe në pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë të prekura nga lufta civile, por shefi i atëhershëm i SDB abuzoi me patriotizmin e anëtarëve të asaj njësie”.

“Kuriri” serb: Njësia Speciale serbe e kreu masakrën në Reçak “Kuriri” serb: Njësia Speciale serbe e kreu masakrën në Reçak

Sipas tij, ai e bëri këtë “duke u dhënë atyre urdhër që të mos respektojnë ligjin e luftës, por të përdorin dhunë të tepruar”.

Dhe tash shtrohet pyetja, përgjigja e së cilës është shumë e qartë: Kush po gënjen këtu, Walker që ishte dëshmitar i masakrës, zyrtari i lartë i Shërbimit të Sigurimit Serb (SDB) dhe ish-zëvendësdrejtor i BIA-s, që ishte protagonist i masakrës, apo Vuçiqi që ndjek politikën e Millosheviqit, që nuk pranoi asnjërën nga masakrat e mëdha të kryera nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe në luftërat e përgjakshme të viteve 90-ta në Kosovë, Bosnjë e Kroaci.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën ndër masakrat më të tmerrshme në vendin tonë.

Aty u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky gjenocid, tronditi gjithë opinion ndërkombëtar. Ambasadori William Wolker, e cilësoi ngjarjen në Reçak si krim kundër njerëzimit.

Masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës, pasi dy muaj më vonë filluan bombardimet e NATO-s mbi caqet ushtarake e policore serbe. /Telegrafi/