Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë kanë edhe dhjetë ditë afat për t’i konvertuar patentë shoferët e tyre – që janë lëshuar nga autoritetet serbe – në ato të autoriteteve të Kosovës.
Nëse nuk veprojnë ashtu deri më 9 gusht, dhe policia i ndalon gjatë vozitjes, ata do të konsiderohen se e kanë drejtuar veturën pa patentë shoferë, kanë thënë zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Zyrtarët policorë theksojnë se, në përputhje me vendimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, ndaj këtyre individëve do të shqiptohen gjoba, me mundësi të konfiskimit të automjeteve.
Shuma e gjobave, sipas ligjit, është nga 500 deri në 1.500 euro.
Autoritetet e Kosovës nuk i njohin dokumentet e lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës.
Megjithatë, në disa raste ato “tolerohen”, për shkak se procesi i integrimit të serbëve në sistemin e Kosovës nuk është përfunduar plotësisht.
Nga ana tjetër, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008, dhe nuk është ndalur asnjëherë së lëshuari dokumente për territorin e Kosovës.
Autoritetet serbe i lëshojnë këto dokumente prej qyteteve të ndryshme të Serbisë.
Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, të dyja palët kanë arritur marrëveshje për njohjen e dokumenteve personale, por nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me dokumentet e lëshuara nga Serbia për serbët që banojnë në Kosovë.
Prandaj, palët shpesh interpretojnë ndryshe-ndryshe marrëveshjen e Brukselit.
Çfarë do të ndodhë pas afatit?
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin verior, Veton Elshani, ka thënë për REL-in se Policia e Kosovës nuk do t’i “tolerojë” më ato patenta që u jepen serbëve me banim në Kosovë, pas skadimit të afatit për pajisjen e tyre me patentë shoferë të Kosovës.
Ai tregon se në atë rast, një individ do të gjobitet për mosposedim të patentë shoferit.
“Pas shqiptimit të një gjobe të tillë, vetura duhet të drejtohet nga dikush që ka patentë shofer [kosovar]. Nëse [pronari i veturës] nuk ka dikë tjetër që ta largojë makinën, ajo duhet të parkohet diku menjëherë, ose do ta konfiskojmë”, thotë Elshani.
Cila është procedura për marrjen e patentë shoferit të Kosovës?
Më 7 maj, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka marrë vendim për të lejuar qytetarët e komunitetit serb t’i konvertojnë patentë shoferët serbë me ata të lëshuar prej autoriteteve të Kosovës.
Vendimi ka hyrë në fuqi dy ditë më vonë, më 9 maj, dhe do të zbatohet deri më 9 gusht 2024.
Për marrjen e patentë shoferit të Kosovës, nuk duhet nënshtruar ndonjë testi të vozitjes.
Krejt çfarë duhen janë:
-letërnjoftimi i Kosovës,
-patentë shoferi origjinal, i lëshuar nga autoritetet serbe, dhe
-një certifikatë e kontrollit mjekësor.
Sa patentë shoferë janë zëvendësuar?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 27 korrik se rreth 4.000 serbë nga Kosova kanë dorëzuar kërkesë për konvertimin e patentë shoferëve të tyre, të lëshuar prej Serbisë, me ata të Kosovës.
Në këtë shifër bëjnë pjesë kryesisht serbë nga veriu i Kosovës, sepse ata në jug të Ibrit patentë shoferët e Kosovës i kanë marrë rreth 10 vjet më parë.
“I ftoj të gjithë ata që nuk kanë aplikuar ende për konvertim të patentë shoferit që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, e cila ofrohet në të gjitha komunat deri më datë 9 gusht. Falënderoj qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet tona”, ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook.
Procesit të pajisjes me patentë shofer të Kosovës i ka paraprirë procesi i riregjistrimit të veturave me targa serbe në targa RKS (Republika e Kosovës), sidomos për ato me regjistrimin KM (Mitrovica e Kosovës).
Procesi i riregjistrimit të automjeteve, i cili ka zgjatur prej fundit të vitit 2022 deri në mesin e dhjetor të vitit 2023, ka nxitur një sërë krizash në veri të Kosovës: daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës, protesta, barrikada, bojkot të zgjedhjeve, dhe gjithçka kulmoi me një sulm të armatosur të një grupi të organizuar të serbëve kundër Policisë së Kosovës.
Megjithatë, sot, në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – nuk mund të shihen targat KM, me të cilat vlerësohej se ishin të regjistruara rreth 10 mijë makina.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, rreth 4.000 vetura i kanë konvertuar targat KM në RKS, ndërsa pjesa tjetër i ka regjistruar veturat e tyre në qytete të Serbisë.
Kështu, individët që kanë makina me targat BG (Beograd), KG (Kragujevc), RA (Rashkë) dhe targa të tjera të regjistruara në qytetet e Serbisë, ngasin veturat në Kosovë me autorizim, sepse vendbanimi i tyre është në Kosovë.
Me çfarë patentë shoferi mund të drejtohet një makinë me autorizim?
Veton Elshani nga Policia e Kosovës e ka parë si problematike çështjen e drejtimit të veturës me targa të Serbisë (BG, KG, RA) në Kosovë, dhe ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme po punon për gjetjen e një zgjidhjeje.
Deri atëherë, sipas Elshanit, edhe pronarët e këtyre veturave do të mund të drejtojnë një automjet me patentë shoferë kosovarë dhe jo serbë, që lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet e Kosovës.
“Nuk do të merren masa për ata që, për shembull, vozisin me targa BG dhe tregojnë patentë shoferë të Kosovës”, thekson ai.
Ai shton se, në bazë të ligjit, një gjë e tillë në fakt nuk është e mundur, por që autoritetet e Kosovës po përpiqen të gjejnë një zgjidhje të këtij problemi.
Në Serbi, autorizimet e tilla lëshohen në bazë të të dhënave të letërnjoftimit dhe patentë shoferit.
Kjo do të thotë se, serbët nga Kosova, të cilët nuk e kanë ndërruar vendbanimin në sistemin serb, dhe drejtojnë veturë me targa të një qyteti të Serbisë, në autorizim kanë të dhëna të letërnjoftimit që lëshon Serbia për qytetet e Kosovës.
Këtë letërnjoftim se pranojnë autoritetet e Kosovës.
Në këtë rast, autoritetet e Kosovës, tash për tash, e pranojnë autorizimin serb, por jo letërnjoftimin dhe as patentë shoferin e lëshuar prej autoriteteve serbe. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
I mituri rrëfen ngacmimin seksual nga 45-vjeçari: Më ka thënë hajde me mua, do të jap para, do të çoj këtu…
Klekovski: Spitalet në Shtip, Manastir dhe Tetovë ose do të trajtojnë me terapi biologjike ose nuk ka nevojë për reparte onkologjike që nuk funksionojnë
Vrasja mafjoze e 47-vjeçarit me origjinë shqiptare në Greqi, arrestohen dy persona
Tragjedia në Çubrel të Skenderajt - arrestohet polici që shkaktoi aksidentin ku vdiqën tre persona
IPK jep detaje për aksidentin me fatalitet në Skenderaj, u shkaktua si pasojë e humbjes së kontrollit të veturës nga polici
Gërvalla pasi e quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, reagon OVL e UÇK-së
Nis gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, deklarohet Naim Murseli
Kapet në Kolumbi tropojani i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK
Protestat masive në Serbi, sugjerohet që Kosova të mos ndërhyjë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Aksidenti me tre viktima në Çubrel të Skenderajt: Edhe pesë të lënduar, katër prej tyre zyrtarë policorë
Driloni: Banorët nuk më uruan fitoren, e di që më kanë inati
Kurti reagon pas aksidentit me tre të vdekur në rrugën Mitrovicë-Pejë
Publicisti serb: Beogradi duhet të përballet me realitetin për Kosovën, iluzion të pritet një ndryshim i politikës amerikane
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime
E quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, OVL-UÇK në Pejë i reagon Gërvallës