LAJMI I FUNDIT:

E “vërteta” në Facebook: Analfabetizmi ma i rrezikshëm asht ai i pjesshmi

E “vërteta” në Facebook: Analfabetizmi ma i rrezikshëm asht ai i pjesshmi

Ardian Ndreca

Këto ditë drejtoresha e Teatrit “Migjeni”, Rita Gjeka, kërkoi ndjesë për gjestin joqytetar që iu ba Tano Banushit 25 vjet ma parë, tue mos lejue homazhe në teater e tue ia mbyllë dyert kortezhit mortor.


Asht i qartë për të gjithë dimensioni artistik dhe kontributi i këtij artisti shkodran.

Pashë dikund në FB se Tanoja akuzohej edhe si oficer sigurimit për krime dhe tortura në vitet e para të regjimit e për këtë gja citohej libri “Çinarët” i Át Konrad Gjolajt.

Librin e kam pasë lexue kur ka dale por nji gja të tillë s’e kujtoja.

E rilexova, se veç mirë ban, dhe pashë se Tanoja citohet tri herë, ne ff. 35, 104, 106.

Në asnjënin vend s’flitet për tortura dhe krime te tmerrshme të pandehuna të tijat.

E kuptoj që FB s’asht as votër historianësh dhe as qendër erudicioni, por shpifja asht nji mjet i ulët për me prozhmue këdo, qofte edhe nji mbështetes të sinqertë të regjimit monist siç ishte aktori në fjalë.

Shpifësat janë të gjithë njilloj, nën çdo regjim, prandaj për ta jeta nën nji regjim apo nën nji tjeter asht e njëjtë, ndryshon veç entiteti i damit që shkaktojnë.

P.S. E thanun si kot: në vitet e para të regjimit në Shkodër ka qenë aktiv në trupa gjykuese kap. Gjon Banushi… çka me saktesue, analfabetizmi ma i rrezikshëm asht ai i pjesshmi.