LAJMI I FUNDIT:

E rrëzuam bustin, komunistët mbetën

E rrëzuam bustin, komunistët mbetën
Ilustrim

Padyshim që sot reflektimet dhe fotot e kohës që tregojnë rrëzimin e bustit të diktatorit Hoxha, do të sundojnë diskutimin publik.

Por, unë doja që plot 30 vjet më pas ta shikoja pak ndryshe rrëzimin e diktaturës dhe heroizimin tonë atë kohë.

Si fillim: A e rrëzuam ne diktaturën apo ajo ra vetë dhe na ftoi t’i jepnim një dorë?

Shqipëria ishte vendi i fundit në Evropë që u çlirua nga komunizmi. Në Shqipëri ai ra pasi rumunët e kishin pushkatuar çiftin presidencial e i kishin tërhequr zvarrë. Komunizmi ra në kohën kur nuk mund të mbahej më, pasi ekonomia kishte falimentuar tërësisht. Komunizmi iku pa shkrehur asnjë pushkë dhe më shumë dhunë është përdorur në protestat e vitit 2019 se në ato të 1990-1991. Pa llogaritur vitin 1997, kuptohet. Komunizmi më i egër në Evropë u dorëzua sepse falimentoi si kauzë dhe filozofi ndërkombëtarisht. Jo më kot në krye të “revolucionit” nuk ishte një disident, por një komunist dhe disa pinjollë të regjimit.

Megjithatë, kjo nuk zbeh rolin e studentëve dhe të atij revolucioni që e përshpejtoi këtë rënie.

Unë doja ta shikoja në një tjetër kënd edhe “heroizmin e forcave demokratike”?

Heroizëm, më shumë se sa të shembësh një diktaturë, pavarësisht forcës së saj, është të mos lejosh më të të hipin në qafë diktatorë të tjerë. Ne komunizmin e shembëm, apo i dhamë një dorë të bjerë, vetëm si qeverisje dhe sistem politik. Por, nuk e larguam si filozofi politike, as si mentalitet. Ne lejuam dhe mbështetëm të na qeverisin njerëz me tipare të forta autoritare, votuam që të nesërmen sërish ish-zyrtarë e funksionarë të regjimit komunist. Pranuam një metamorfozë të sistemit nga të njëjtët njerëz dhe procesi që na mundoi më shumë ishte të hapnim dosjet e Sigurimit për të parë kush kishte shkaktuar viktima të pafajshme.

Ne nuk ndëshkuam as krimet as kriminelët, ndaj dhe sot 30 vjet pas rënies së atij busti, tërhiqemi ende zvarrë si popull, duke u lutur që qeveria e ardhshme të jetë më e mirë se ajo që është, edhe pse na del gjithmonë e kundërta.

Nuk mendoj se ka shumë arsye për të qenë të ngazëllyer sot për 20 shkurtin!